Lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme pasurohet me 23 asete të reja
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka bërë me dije se lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme pasurohet me 23 asete të reja që shënojnë rrugëtimin historik dhe kulturor të vendit.
“Nga shtëpitë tradicionale, shkolla e parë shqipe e fillim shekullit të XX-të e kulla deri tek monumentet që pasqyrojnë historinë e fundit, në tërë territorin e Kosovës janë vlerësuar pasuri materiale dhe shpirtërore”, ka shkruar Çeku në “Facebook”.
Ai ka theksuar se në këtë listë janë shtuar afreskat e periudhës Romake të Dresnikut, Guri i Nënës Pashkë, aset me vlera të jashtëzakonshme shpirtërore, ndërtesa e lokalit Panda në Pejë dhe po ashtu ish spitali ushtarak në Drenas që shënojnë ngjarje historike.
“Duke mbrojtur asetet tona, po kontribuojmë në njohjen dhe kuptimin e historisë së Kosovës teksa duke i kujtuar ngjarjet e kaluara formojmë identitetin kolektiv dhe kulturën tonë”, ka shkruar Çeku.