Lista “Guxo” dhe “Ne guxojmë” garojnë ndaras në Ferizaj
Lista “Guxo” do të garojë e ndarë në dy grupe për zgjedhjet lokale në komunën e Ferizajt.
Në njoftimin e KQZ-së vërehet se për zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj garojnë Iniciativa Qytetare Lista “Guxo” dhe Iniciativa Qytetare “Ne Guxojmë”.
Të dyja këto iniciativa qytetare kanë aplikuar në KQZ për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale.
Kjo periudhë e aplikimit përfundon më 16 gusht, shkruan Klankosova.tv.
Ditë më parë, koordinatori i listës “Guxo” në Ferizaj, Balton Dërguti, ka thënë në Info Magazien të Klan Kosovës se deri te ndarja ka ardhur pasi dega e tyre nuk ka dashur që të jetë bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje në një listë të përbashkët për zgjedhjet lokale.
Ai ka deklaruar se vlerëson se në këtë mënyrë Lista “Guxo” mbetet pa identitet.
“Në zgjedhje nacionale kemi hyrë në një listë të përbashkët me Vetëvendosjen, për shkak se ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe subjekti jonë politik ishte i sapoformuar dhe nuk kishim kohë ta regjistronim si të tillë dhe u pajtuam që të hymë në zgjedhje pa llogo dhe identitet tonin. U pajtuam që menjëherë pas zgjedhjeve nacionale ta formojmë subjektin tonë politik dhe në zgjedhjet e ardhshme do të kemi subjekt tonin politik. Një gjë e tillë nuk u arrit, edhe pesë muaj pas zgjedhjeve”.