Lista me shtatë lojtarët që pritet të largohen nga Bayerni
Sadio Mane është emri kryesor në listën prej shtatë personash që do të lënë Bayern Munchen këtë verë, sipas raportimeve të medieve gjermane.
Thomas Tuchel i cili udhëhoqi Bayernin drejt titullit të 11 radhazi, të siguruar në javën e fundit të kampionatit, kërkon të rindërtojë skuadrën në “Allianz Arena” pas një sezoni plot oscilacione për gjigantët gjermanë.
Anësorët e Bayernit janë të parët në listën e merkatos, me Mane, Leroy Sane dhe Serge Gnabry që raportohet se ju është treguar dera e largimit sipas “Bild”.
Mbrojtësi i djathtë Bouna Sarr, portieri Alexander Nubel dhe mesfushori Marcel Sabitzer huazimi i të cilit te Manchester United përfundon me mbylljen e sezonit, gjithashtu janë të lirë të largohen.
Ndërkohë lista prej shtatë emrash kompletohet me Benjamin Pavard, i cili ka zgjedhur të mos zgjasë kontratën e tij me “bavarezët”. Futbollisti francez që ka zgjuar interesimin e Barcelonës dhe Liverpool mund të largohet menjëherë nëse një klub i ofron Bayernit 30 milionë euro.
Pavarësisht se firmosën me Mane vetëm verën e kaluar, gjigantët e Bundesligës janë gati të dëgjojnë ofertat për sulmuesin 31-vjeçar.
Mane ka shënuar vetëm 7 gola në 25 paraqitje në kampionat këtë sezon, dhe goditi me grusht në fytyrë Sane pas eliminimit në Ligën e Kampionëve nga Manchester City në prill. Ndërkohë Manchester United po monitoron situatën e Leon Goretzka, me futbollistin gjerman që pritet të largohet nëse nuk i garantohet një vend në skuadrën e parë nga Tuchel.