“Lista për Familjen”, Korenica: Kemi bërë ftesë të hapur, besoj që do të vijnë edhe deputetë të tjerë
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica sonte në “Rubikon” ka folur për koalicionin “Lista për Familje”, duke thënë se është formuar për të ruajtur bërthamën tradicionale të familjes.
Ao është shprehur se kanë bërë ftesë të hapur, ndaj beson që edhe deputetë të tjerë do t’i bashkohen kësaj liste.
“Lista jonë për familje është formuar për të ruajtur bërthamën tonë tradicionale të familjes dhe këtu e gjen veten secili deputet dhe jo vetëm secili deputet, pra këtu ka hapësirë edhe për të gjithë akterët e ndryshëm publikë, madje edhe individ të caktuar që duan të japin kontributin e tyre në ruajtjen e familjeve tona, në mirëqenien e fëmijëve tanë, në zhvillimin e mëtutjeshëm të mbarë vendit tonë, hapësira është e madhe dhe ne jemi të hapur”
“Prej deputetëve jemi ne të dy, besoj që në të ardhmen e afërt, për këtë periudhë do të vijnë edhe deputetë të tjerë të cilët ndajnë të njëjtat qëndrime, të njëjtat bindje. Kemi bërë ftesë të hapur dhe unë besoj që ata do të vijnë”.
“Kushdo që e ndjen veten me këto cilësi, me këto qëndrime, me këto parime përmbajtësore, në mbrojtje të familjes, ata do të vijnë dhe do bashkohen”, është shprehur tutje Korenica.