Lista Serbe bën thirrje për bojkotim të zgjedhjeve në veri
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – u bëri thirrje serbëve nga veriu i vendit që t’i “bojkotojnë plotësisht” zgjedhjet lokale, të planifikuara për të dielën, më 23 prill.
Në deklaratë thuhet se kjo parti i bën thirrje “të gjithë popullit serb” që të qëndrojë i qetë të dielën dhe të mos bjerë në “provokimet e regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”, qëllim i vetëm i të cilit, siç tha, është “dëbimi i serbëve nga veriu”.
Në deklaratën e saj, po ashtu, thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “dëshiron t’i pushtojë komunat e veriut të Kosovës” përmes “kryetarëve pushtues”.
Për asnjërin prej këtyre pretendimeve, Lista Serbe nuk solli ndonjë provë që do t’i mbështeste ato.
“Serbët duhet t’i shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm zgjedhor, që është kundër interesave të popullit serb”, tha Lista Serbe.
Të dielën e 23 prillit, zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të gjitha të banuara me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote, që të votojnë.
Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.