Lista Serbe i reagon Kurtit: Radojiçiqi është këtu për t’i mbrojtur serbët

20 korrik 2022 | 16:19

Lista Serbe ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasi ai sot ka thënë se personat si Milan Radojiçiq që është nënkryetar i kësaj liste dhe i njëjti është në listën e zezë të Thesarit Amerikan duan ta destabilizojnë veriun dhe se i njëjti ka mbështetje politike të Beogradit.

Lista Serbe përmes një komunikate ka theksuar se kryeministri Kurti dëshiron t’i “sulmojë” serbët, ndërsa sipas kësaj liste Radojiçiqi dëshiron që t’i “mbrojë” ata.

“Me lëvizjet e tij të njëanshme, Albin Kurti kërkon të fitojë pikë të lira politike duke ngacmuar popullin duarthatë serb dhe në këtë mënyrë është i vetmi që kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë rajon, i vetëdijshëm se nuk është në gjendje të përmirësojë jetën e shqiptarëve, as të përmbush asnjë premtim të vetëm që ka bërë në fushatë. Ndryshe nga Albin Kurti që me çdo kusht dëshiron kaos dhe të sulmojë serbët, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, së bashku me Listën Serbe është këtu për të mbrojtur popullin serb nga Prishtina, sepse na duhet paqe në këto kohë krize”,  është thënë në komunikatë.

Përpos kësaj, Lista Serbe ka thënë se qëllimet e kryeministrit Kurti janë “të liga” dhe ai e di se nënkryetarin e Listës Serbe e ka kundërshtar të planeve të tij.

“Duhet theksuar se shembujt e qëllimeve të liga të Kurtit janë të panumërta. Një seri incidentesh dhe shembujsh të dhunës institucionale që përmbyten me keqpërdorim të autoritetit, aplikim të tepruar, joproporcional të forcës brutale ndaj qytetarëve duarthatë serbë, të cilët janë pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës si në veri, ashtu edhe në jug që kalojnë javë të tëra janë dëshmia më e mirë se Kurti dëshiron të krijojë kushte të tilla që serbët të largohen nga habitatet e tyre shekullore. Sigurisht, në rrugën drejt realizimit të planit të tij, Kurti e kupton se kundërshtari është nënkryetari Radoiçiq dhe Lista Serbe që i mbledh të gjithë serbët nën një flamur. Prandaj nuk është për t’u habitur që më të mirët prej nesh dëbohen me akuza të rreme që serbëve t’u presin kokat, kurse Kurti pushtoi veriun pa asnjë shqetësim”,  është thënë në këtë komunikatë.

Lista Serbe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos rrinë të heshtur dhe forca ndërkombëtare përgjegjëse për paqe dhe siguri të “parandalojnë Kurtin që të provokojnë konflikt në rajon”.

Kujtojmë se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq është ministër për Komunitete dhe Kthim në qeverinë që drejtohet nga Albin Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas takimit…