Lista Serbe kërkon nga Serbia të shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste

03 korrik 2023 | 13:53

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që të shpallë njësitë speciale të Policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë “bashkëpunëtorët e këtyre strukturave” si “organizata terroriste sepse kërcënojnë paqen në këto hapësira”, duke iu referuar veriut të Kosovës.

Në letrën dërguar qeverisë serbe, që ky subjekt e kandarë me mediet, është thënë se populli serb “po vuan nga terrori dhe represioni i regjimit antiserb të (kryeministrit të Kosovës) Albin Kurti qe dy vjet”.

“Ne thellësisht besojmë se ky vendim, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët perëndimorë, do të parandalonte aktivitetet e mëtejme të paligjshme të këtyre formacioneve dhe bashkëpunëtorëve të tyre për të kërcënuar paqen në këto zona. Po ashtu, ky vendim do të krijonte një bazë ligjore për veprimet e të gjitha autoriteteve shtetërore kundër këtyre organizatave që t’i sjellin ato para drejtësisë”, është thënë në letrën e Listës Serbe dërguar qeverisë në Beograd.

Kjo kërkesë e Listës Serbe vjen disa ditë pasi Qeveria e Kosovës ka shpallur “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”,  dy organizata që besohet se veprojnë në veri të Kosovës – organizata terroriste.

Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Kurti ka thënë se këto dy formacione, po ashtu, kanë bërë thirrje për rezistencë e mosbindje, kanë detyruar qytetarët të marrin pjesë në protesta dhe barrikada dhe kanë “rekrutuar dhe trajnuar pjesëtarë për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi, me qëllim të kryerjes së sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë”.

Policia e Kosovës ka rritur praninë në pjesën veriore – të banuar me shumicë serbe – teksa në këtë zonë janë rritur tensionet.

Tensionet janë rritur që nga fundi i muajit maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale, me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët në këto komuna kanë protestuar, duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve dhe njësive speciale policore.

Kryeministri Kurti ka thënë se prania policore në veri do të ulet, paralelisht me përfundimin e protestave dhe që personat përgjegjës për dhunën të përballen me drejtësinë.

Në veri janë regjistruar disa incidente, përfshirë sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe gazetarëve, por edhe sulme me shok-bomba dhe granata dore.

Kurti deklaroi më 3 korrik se autoritetet kanë identifikuar 45 persona, që sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet në veriun e Kosovës.

Deri më tani, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona për sulmet ndaj gazetarëve, por edhe për ngjarjet e dhunshme të 29 majit në Zveçan. Atë ditë, protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Kurti ka thënë se as “as çereku” i të dyshuarve për sulmet në veri nuk janë arrestuar, “prandaj e kemi këtë situatë”.

Bashkësia ndërkombëtare është duke i kërkuar Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të ulin tensionet dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF),…