Lista Serbe i konsideron lojë përpjekjet për formimin e Asociacionit
Lista Serbe vazhdon të këmbëngulë se vetëm përfaqësuesit e serbëve janë të autorizuarit ta hartojnë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pavarësisht që kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi, kanë riaktivizuar Ekipin menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se veprimet e institucioneve të Kosovës për asociacionin janë vetëm një lojë. “Fatkeqësisht, paralajmërimet të cilat po i dëgjojmë në media kohët e fundit, flasin se nuk ekziston dëshirë e sinqertë që marrëveshja të zbatohet, por qëllimi është që të bëhet lojë me disa trupa të ri, të cilët marrëveshja nuk i parasheh. Kryetarët e komunave me shumicë serbe dhe këshilltarët e komunave kanë thënë qartë se presin që Prishtina ta përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes. Prandaj, të presim deri më 20 prill që të shohim se cilat do të jenë veprimet e Qeverisë në Prishtinë”, la theksuar Simiq.
Ai ka pranuar se komunikimi ndërmjet këtij subjekti politik dhe liderëve të institucioneve të Kosovës pas ngjarjeve të fundit në veri nuk është i mirë. “Pas dhunës brutale që ka ndodhur më 26 mars të këtij viti, komunikimi nuk është në nivelin e lakmueshëm. Por, pavarësisht nga kjo, nuk ka nevojë që dikush t’i bëjë thirrje Listës Serbe për draftimin e statutit të Bashkësisë së komunave serbe, sepse sipas marrëveshjes së Brukselit, kjo është në kompetencë të Ekipit menaxhues, të cilin e përbëjnë katër përfaqësues të serbëve. Ata janë të autorizuarit e vetëm që ta bëjnë draftin e statutit dhe atë ta paraqesin në Bruksel”, ka deklaruar Simiq.
Drejtuesit e institucioneve të larta të vendit janë zotuar se Kosova do t’i respektojë obligimet që ka marrë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë këtu edhe formimin e Asociacionit. Megjithatë, zyrtarët e kabinetit të kryeministrit Haradinaj, nuk kanë qenë të qasshëm për të shpjeguar nëse ka nisur puna e Ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit dhe cilat janë mundësitë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Listën Serbe për Asociacionin.