Lista Serbe – “organizatë terroriste”

15 prill 2023 | 14:43

Hasan Mujaj

Terroristët serbë të kësaj organizate, sa herë që ndiqen të kapen nga organet antikrim të Kosovës, kalojnë kufirin ilegalisht dhe paraqiten në Rashkë, aty tek gjendet shkolla politike e Vuçiqit për Kosovën për t’i marrë detyrat vijuese për krimet e reja!

Me këtë emërtim e kualifikojnë Listën Serbe disa liderë serbë. Aksiomë. Më se e vërtetë. Madje e vetëdëshmuar me vepra si e këtillë (terroriste). Hëpërhë ajo bën pjesë në organizatat më të mëdha kriminale jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë. Shtojca me këtë term (terroriste) kësaj partize me të drejtë i është vënë nga mbështetja në të dhënat empirike e pragmatike, që trupëzohen në terrenin e komunave veriore me shumicën e popullatës serbe tash e disa vjet. Lista Serbe, me krimet e rënda e të rrezikshme si ndaj banorëve vendës, ashtu edhe ndaj organeve të rendit e të sigurisë të Kosovës, edhe me mbështetjen e Beogradit zyrtar, është bërë vatër lidere e anarkisë nga burojnë veprimet terroriste, të cilat organizohen nga krerët e kësaj organizate gjithnjë sipas politikës së Vuçiqit.

Në këtë krahinë të Republikës së Kosovës, të cilën politika serbe e Beogradit ka si qëllim kryesor ta aneksojë ashtu sikundër ka vepruar me shumë krahina të tjera të etnisë shqiptare të Vilajetit të Kosovës, sidomos gjatë viteve 1877- 1878, labërgohen e zhvillohen forma të ndryshme të veprimtarisë kriminale si p. sh.: qarkullimi i lirë i drogës, tregtia me armë, korrupsioni, kontrabanda, djegia e pronave të serbëve, të cilët u përmbahen ligjeve të Kosovës; e tërë kjo veprimtari vihet në praktikë nga njerëzit e rrethit të ngushtë i Listës Serbe. Veprimet e këtilla kriminale i toleron politika e Vuçiqit. Dhe, jo vetëm që i toleron, por edhe vihet e tëra në mbrojtjen e tyre. Madje ndërhyrjen e organeve shtetërore të rendit e të sigurisë të Kosovës për t’i kapur e për t’i arrestuar kriminelët, Beogradi e quan “presion e terror ndaj serbëve” të atjeshëm! Demagogji e paparë! Këtë po e sheh edhe BE- ja, por e kalon në heshtje dhe nuk reagon. Qëndrim frapant!

Për të qenë ironia edhe më absurde, intervenimin e zyrtarëve policorë të Kosovës për t’i zënë autorët e krimit në këtë pjesë të Kosovës, vjeshtën e kaluar, edhe intermediatorët ndërkombëtarë: Borrel e Lajçak e quajtën “ndërhyrje të njëanshme!” E pabesueshme, por e dëshmuar nga realiteti. Prandaj, s’është habi që në komunat me shumicë serbe në hapësirën veriore të shtetit të Kosovës lulëzon e gufon kriminaliteti në krye të të cilit gjenden krerët e Listës Serbe: G. Rakiq, M. Radoiçiq etj., të cilët kanë bashkërendim të ngushtë me Vuçiqin e P. Petkoviqin. Pra, shprehur me stilin metaforik, problemi qëndron te rrënja dhe jo te pipthi. Rrënja është strategjia e Beogradit dhe pipthi (Lista) rrjedhojë e strategjisë. Kështu ndodhi edhe ditët e fundit të marsit, kur për ta trupëzuar urdhrin e Vuçiqit, drejtuesit e Listës Serbe autorizuan personin e tyre (Bozhoviqin) për t’i djegur disa vetura përpara shtëpive të pronarëve të tyre të regjistruara me targat RKS!

Djegia e veturave nga motivet politike

Njësitë e ndjekjes dhe të zbulimit të policisë së Kosovës e gjetën dhe e arrestuan autorin e veprës terroriste, njeri i Rakiqit dhe i ndjekur për disa vepra kriminale: për djegien e veturave të qytetarëve serbë të Kosovës nga motivet politike, për plagosjen me armë zjarri dhe mjete shpërthyese të zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, i kërkuar nga organet e hetuesisë si i dyshuar për vrasjen e zyrtarit të Euleksit etj.

Në vend se ato (njësitë e ndjekjes) të lavdërohen me mirënjohje për kapjen e kriminelit që djeg pasurinë e qytetarëve për shtysat politike, P. Petkoviq e G. Rakiq, në konferencën për mediet nga Beogradi, kërkojnë nga organet kompetente lirimin e kriminelit!

Vihet re pra publikisht se për ç’arsye Rakiqi e Radoiçiqi e kërkojnë  tërheqjen e njësive policore të Kosovës nga komunat veriore. Ndonëse me vonesë të madhe, është pozitive që veprimtarinë kriminale të Listës Serbe tani e kanë parë dhe përjetuar edhe qytetarët e atjeshëm serbë. Andaj, rrodhën shumë reagime e protesta kundër politikës despotiste të Vuçiqit, e cila trupëzohet në këtë pjesë të Kosovës nga krerët e korruptuar, komplotistët e shovinistët e Listës Serbe, të cilët, ku me gënjeshtra e mashtrime, ku me diktat e kërcënime, imponuan lëshimin e vendeve të punës të serbëve në institucionet e Kosovës.

Si ilustrim faktik do parë vizita e P. Petkoviqit në Zubin Potok, e cila u prit nga qytetarët serbë me mllef, me mëri  të madhe kundër tij e krerëve të Listës Serbe si dhe me sharje e fyerje të rënda: “ Turp të keni, shqiptarët po na mbrojnë.”

Për organizimin dhe ekzekutimin e veprimeve kriminale, G. Rakiq dhe M. Radoiçiq, tok me bashkëpunëtorë të tjerë, zbatojnë urdhrin e mentorit të tyre- Vuçiqit. Kush është Rakiq të flasë në emër të popullit serb? Një oktapod e filistin i jep vetes të drejtë që, nga Beogradi, t’i grishë serbët në kryengritje të përgjithshme po qe se nuk lirohet serbi i arrestuar për veprat kriminale: “Duam të paralajmërojmë Prishtinën se në rast të moslirimit të të arrestuarit, do të ketë kryengritje të përgjithshme… etj.” për t’u pasuar, po për këtë rast, nga Vuçiqi: “Kosova do përshkallëzim të konfliktit.” Habi e madhe! Sepse po e lufton krimin dhe po e mbron sigurinë dhe pronën e qytetarëve.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde reagoi i befasuar se si krerët e Listës Serbe  nuk e dënuan djegien e veturave të qytetarëve serbë në Veri të Kosovës! Reagim i drejtë i ambasadorit. Këtë akt krimi do të duhej ta kritikonte edhe Lista. Duket se ambasadori gjerman ende nuk e njeh politikën e Listës Serbe. Kjo partizë është një organizatë që drejtohet nga kriminelët: nënkryetari i saj (M. Radoiçiq) gjendet në Listën e Zezë Amerikane për krimet vrastare e vepra të tjera terroriste madje edhe ndaj serbëve.

Prandaj, Lista Serbe nuk mund ta dënojë djegien e veturave siç ka pritur ambasadori gjerman nga shkaku se atë (djegien) e ka organizuar vetë G. Rakiq dhe, sikundër u bë e ditur, autori i këtij akti terrorist (Bozhoviq) qenka njëri nga rrethi e ngushtë i kriminelëve të Rakiqit, të cilët paguhen nga Beogradi për ekzekutimin e krimeve të ndryshme gjithnjë të motivuara politikisht.

Gazetari serb Zhelko Velkoviq, nga TV “Nova”, akuzoi Listën Serbe dhe Vuçiqin për mashtrimet e mëdha që po ua bëjnë serbëve të Kosovës për arritjen e qëllimeve politike. Ai, ndër të tjera, tha: “I mblodhën dhe i morën me autobusë nga e tërë Kosova për t’i dërguar në protestën e Shtërpcës me qëllim që ta minimizonin protesën e Mitrovicës veriore, që ishte organizuar kundër Vuçiqit dhe Listës Serbe.”

Pallati me shumë kate – pronë e G. Rakiqit                   

U deshën shumë vjet  për t’u parë dhe për t’u kuptuar synimet destruktive, përfituese e manipuluese të kësaj partize për votat e favoret politike të Serbisë, por edhe për t’u pasuruar shpërdorimisht krerët e saj si p. sh. ndërtimi i një pallati madhështor me shumë kate me vlerë rreth dy milionë euro, pronë e G. Rakiqit. Po në emër të krytarit Rakiq figuron edhe sipërfaqja (trualli) 9. 5 ari me vlerën rreth 350 mijë euro- vë në dukje kreu i partisë: Iniciativa Serbe-Aleksandar Arsenijeviq dhe pyet: nga e kanë prejardhjen këto shuma parash?!

Me vlerat edhe më të mëdha janë bizneset e kriminelit Radoiçiq madje jo vetëm në Mitrovocën veriore, por edhe në disa qytete të tjera si në Novi Pazar e gjetkë. Me përcaktorin “terroriste” Lista Serbe u pagëzua nga nënkryetari i Partisë Popullore Miroslav Aleksiq duke u mbështetur në të dhënat kriminale e  pragmatike që trupëzohen në terrenin e komunave veriore me shumicë serbe në krye të të cilave (të dhëna) gjenden kryetari dhe nënkryetari i Listës.

Një zonjë serbe, pas një mbledhjeje që e kryesonte Rakiqi për t’ua kumtuar urdhrin e largimit nga vendet e punës, komentoi se ç’u tha nga kryesuesi: “Nëse nuk e nënshkruan dorëheqjen nga puna, të digjet vetura në emër të tradhtisë dhe pasoja të tjera!” Diktaturë me kërcënime. E këtillë është politika serbe!

Qytetarja e atjeshme Suzana Milunoviq shton: “Lista Serbe është një Listë që me vite i bën shantazh popullit. Ne jetojmë nën shantazh e presion. Nëse nuk shkojmë në barrikada, na heqin menjëherë nga lista e pagave.” (REL)

E tërë kjo lojë me jetën e qytetarëve serbë zhvillohet dhe imponohet nga pretendimet e shtysat e politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste të Beogradit ndaj Republikës së Kosovës. Sikundër shihet djegia e veturave me targat RKS është vepër e porositur nga lart.Terroristët serbë të temës në vështrim, sa herë që ndiqen të kapen nga organet antikrim të Kosovës, kalojnë kufirin ilegalisht dhe paraqiten në Rashkë, aty tek gjendet shkolla politike e Vuçiqit për Kosovën për t’i marrë detyrat vijuese për krimet e reja! Aty (në Rashkë) terroristët përgëzohen nga politika e Beogradit për veprimet kriminale të serbëve ndaj qytetarëve serbë dhe ndaj policisë së Kosovës.

Në realitet Lista Serbe është një organizatë kriminelësh të armatosur dhe shpeshherë të maskuar, të cilët i sulmojnë edhe organet e rendit me armë zjarri. Radoiçiqi, Rakiqi dhe Veselinoviqi përbëjnë treshen prijëse të organizimit dhe të zhvillimit të veprimtarisë terroriste në katër komunat veriore të kosovës. Këtë e pohojnë edhe disa deputetë e liderë partish politike si p.sh. deputeti i Kuvendit të Serbisë Radomor Lazoviq, i pyetur nga mediumi “Danas” për barrikadat e Listës tha se “ato nuk janë vënë për t’i mbrojtur serbët, por për t’i mbrojtur Radoiçiqin dhe Veselinoviqin.” (Blic, dhjetor, 2022).

Politikani serb, lideri i Partisë Popullore- Nikola Sanduloviq tha se“ Kriminelët e Vuçiqit janë ata që po i trembin, rrahin e vrasin serbët në Kosovë e jo shqiptarët sikundër thuhet në mediet që kontrollohen nga ai”- Vuçiqi. Vlerësim shumë real i republikanit. G. Rakiqi, P. Petkoviqi, I. Daçiqi etj., të gjithë të shkollës politike të Vuçiqit e ky i ndjek me devotshmëri gjurmët e Milosheviqit, arrestimin e kriminelëve serbë në Kosovë e quajnë diskriminim e presion ndaj popullit serb! Madje jo vetëm kaq. Ata kërkojnë me ngulm edhe tërheqjen e njësive policore nga territori i shtetit të Kosovës, të cilit i përkasin katër komunat që pretendojnë t’i aneksojnë me dhunë në mënyrë që kriminelët të kenë liri më të madhe lëvizjeje për t’i ekzekutuar veprat terroriste! Zatën u japin ultimatum organeve të drejtësisë për t’i liruar të arrestuarit.

Në RTV e Serbisë, më 6 prill, Vuçiqi tha: “Serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhme lokale në katër komunat veriore të Kosovës; qeverisja e formuar pas këtij procesi nuk do të ketë legjitimitet.” Natyrisht. Sepse ai e krijon dhe e dikton politikën kriminale të tyre.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, me kolegë e bashkëpunëtorë nga…