Lista Serbe rreshtohet me pushtetin në Serbi, akuza opozitës atje për ngjarjet në Kuvend: Janë në aleancë me Kurtin

04 mars 2025 | 12:57

Deputetët opozitarë në Kuvendin e Serbisë të martën kanë hedhur mjete piroteknike në sallën e Kuvendit pasi deputetët e koalicionit qeverisës kanë miratuar rendin e ditës, të cilin opozita e ka kundërshtuar.

Deputetët opozitarë i janë afruar tavolinës së kryetarit të Kuvendit, ku janë aktivizuar bomba me tym të kuq dhe të zi dhe kanë shpalosur një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.

Për këtë ngjarje ka reaguar Lista Serbe në Kosovë, e cila ka thënë se opozita serbe e ka kopjuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur si “ndihmës” së opozitës serbe.

“Skenat e turpshme dhe drejtimi i kuazi opozitës në Kuvendin e Serbisë u kopjuan nga ndihmësi i tyre Albin Kurti, i cili erdhi në pushtet në Prishtinë me dhunë dhe idenë për të dëbuar gjithçka serbe. Pa dashur të fshehin aleancën e tyre me Kurtin, opozitarët e sotëm janë përpjekur të përdorin tym të kuq e të zi për të lumturuar Kurtin dhe regjimin e tij të mundur në zgjedhje”, është thënë një njoftimin  e Listës Serbe, të cilin e ka publikuar në “Facebook”.

Kjo parti ka folur në emër të serbëve të Kosovës, duke thënë se ngjarjet në Kuvendin e Serbisë po i shohin me “mosbesim”.

“Populli serb i Kosovës po i shikon me mosbesim ngjarjet në Kuvendin e Serbisë dhe i jep mbështetje të plotë presidentit Aleksandër Vuçiq për të ruajtur Serbinë tonë dhe për t’i mundësuar Serbisë të vazhdojë të punojë dhe të ndërtojë, në të njëjtën kohë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë që të mos jenë instrument në duart e atyre që përsëri, siç bënë 13 vjet më parë, do të plaçkitin dhe shkatërrojnë vendin tonë”, është thënë në këtë njoftim të Listës Serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka nënshkruar marrëveshje…