Lista Serbe takohet me Vuçiqin, ia prezanton dy kërkesa kryesore për veriun
Përfaqësuesit e Listës Serbe janë takuar të hënën me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin.
Lajmin e ka bërë me dije kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka thënë se ia kanë kërkuar presidentit serb dy gjëra, largimin e policisë dhe themelimin e Asociacionit.
“Presidentit të Serbisë i kërkuam të ndalojë persekutimin e popullit serb nga njësitet speciale të dërguara nga autoritetet e Prishtinës dhe i riktheksuam kërkesat tona që ia kemi prezantuar Lajçakut dhe Escobarit që Asociacioni i komunave (të banuara me shumicë) serbe të formohet sa më parë të jetë e mundur dhe që statuti të miratohet nga Prishtina”, ka thënë Rakiqi
Sipas mediave serbe, Rakiqi ka thënë se presidentit serb i kanë dhënë disa video edhe lidhur me dy serbët (huliganë të dhunshëm) që janë arrestuar nga Policia e Kosovës për dhunën në veri, duke pretenduar se të njëjtit nuk kanë marrë pjesë fare në protestë.