Lista Serbe u reagon ndërkombëtarëve: Të verbuar nga dashuria për regjimin antiserb të Kurtit
Lista Serbe është shprehur e zhgënjyer me reagimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, pasi dje kanë njoftuar se janë kundër votimit të 21 prillit, për largimin e mundshëm të kryetarëve shqiptarë nga katër komunat në veri të Kosovës.
Veçanërisht, Lista Serbe ka thënë se është zhgënjyer me qëndrimin e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, të cilin e kanë konsideruar si “të verbuar nga dashuria për regjimin autoritar antiserb të Albin Kurtit.
“Lista Serbe dhe populli serb janë të zhgënjyer me qëndrimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, sidomos me qëndrimin e ambasadorit gjerman Jorn Rode, të cilet janë verbuar nga dashuria për regjimin autoritar antiserb të Albin Kurtit nuk i shohin të gjitha lëvizjet e njëanshme te Prishtinës që sistematikisht shkelin të drejtat e popullit serb në Kosovë me qëllim spastrimin etnik përfundimtar të serbeve nga vatra shekullore”, është thënë në reagimin e partisë së dirigjuar nga Beogradi.
Lista Serbe ka theksuar atë që kryetari i saj, Zlatan Elek e ka thënë dje në një konferencë për medie, se një votim i tillë është “i pamundur” dhe “jo i realizueshëm”, pasi sipas kësaj partie, i lë në pushtet kryetarët shqiptarë.
Ambasadorit Rohde, Lista Serbe i ka thënë se “është i informuar mirë për të gjitha pengesat dhe kurthet në procesin e sipërpërmendur”.
Lista Serbe ka shkruar disa pyetje që nisin me atë se “çfarë bënë përfaqësuesit e respektuar të Quint-it për të sjellë de-përshkallëzimin e situatës në terren, siç premtuan në qershor në Këshillin Evropian?” dhe “lidhur me respektimin e marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”.
Lista Serbe është ankuar se “regjimi në Prishtinë”, ka marrë liberalizimin e vizave, ngritur bashkëpunimin me NATO-n dhe po anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
“Për shkak se janë verbuar nga ‘demokracia’ e regjimit në Prishtinë, përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk janë të gatshëm të shohin gjithë këtë dëshmi që si rezultat e patën vendimin tonë të qarte për të mos marrë pjesë në shfaqjet e regjimit të Albin Kurtit”, është thënë në reagimin e Listës Serbe.
Në fund të reagimit, Lista Serbe ka theksuar se “nuk do të ushtrojë presion mbi serbët lidhur me këtë proces”.