Lista Srpska mbron gazetaren e RTK2: Fjala “Metohi” garantohet me Kushtetutë
Lista Serbe ka reaguar pasi që moderatorja e RTK-së, Aleksandra Dogangjiq, u kritikua dhe iu përmend edhe shkarkimi pas referimit që i bëri Kosovës me termin “Kosova dhe Metohija”.
Në një reagimi dërguar mediave nga Lista Serbe, thuhet se njoftimi për shkarkimin e saj është presioni i fundit që po bëhet ndaj serbëve në Kosovë dhe lirisë së fjalës.
“Lista serbe i kujton publikut se gazetarja e kanalit serb është ‘akuzuar’ për shkelje të rregullave sepse ajo përdori termin ‘Kosova dhe Metohija’ në program. Kujtojmë publikun se edhe Kushtetuta e Kosovës, që u miratua në Prishtinë, në nenin 59.9 garantoi të drejtën e qytetarëve për t’i përdorur emrat vendorë, emrat e rrugëve dhe shenjat e tjera topografike. Shqiptarët përdorin termin Dukagjini për zonën e Metohisë, kështu që padyshim në Prishtinë ata mendojnë se serbët nuk kanë të drejtë t’i përdorin toponimet e tyre”, thuhet në reagim.
Në këtë reagim nga Lista Serbe kanë deklaruar se gazetarët dhe redaktorët e RTK-së kanë transmetuar një numër të madh të kronikave me plot shovinizëm dhe urrejtje dhe asnjë gazetar nuk është pushuar nga puna.
“Sigurisht, raportimi skandaloz i Radiotelevizionit të Kosovës, i cili u përcaktua nga OSBE si i papërshtatshëm sepse kontribuoi në sulmet etnike dhe pogromën e serbëve në 2004-n, mbetet në kujtesë, për të cilën askush nuk dha përgjegjësi”, thuhet në këtë reagim.
“Lista serbe dënon me forcë shtypjen e të drejtave të popullit serb nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe kërkon reagimin më urgjent të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Metohija, por edhe OSBE, UNMIK, ambasadorët e QUINT-it dhe të gjitha shoqatat e gazetarëve”, kanë deklaruar nga Lista Serbe.
Moderatorja Aleksandra Dogangjiq e Radio Televizionit të Kosovës, kanali i dytë, që transmeton program në gjuhën serbe, vazhdon t’i referohet Kosovës me termin e Serbisë “Kosova dhe Metohija”.
Dogangjiq për herë të parë në një transmetim të lajmeve në RTK2 kishte përdorur këtë term edhe në dhjetor 2018, pas së cilës ishte suspenduar për një muaj.
E njëjta, në edicionin e lajmeve të 3 majit të këtij viti, sërish e ka përdorur termin “Kosova dhe Metohija”.