Liverpool-i refuzon hotelin me pesë yje në Katar, pronari i shfrytëzonte punëtorët si skllevër
Liverpool-i ka refuzuar akomodimin në një hotel luksoz në Doha, Katar, pasi zbuloi një seri çështjesh për të drejtat e njeriut që njollosnin imazhin e ndërtesës me pesë yje.
Anglezët do të udhëtojnë drejt Lindjes së Mesme në muajin dhjetor për të marrë pjesë në Botërorin e Klubeve. “The Reds” iu ofrua “Marsa Malaz Kempinski”, një hotel me pesë yje në ishullin artificial të Pearl-Katar, por e ka refuzuar këtë propozim për shkak të kaluarës së tij të errët.
Një hetim i “The Guardian” në tetor të 2018 zbuloi se punëtorët emigrantë të punësuar nga hotel “Marsa Malaz Kempinski” kishin paga qesharake, poshtë minimumit jetik, çka përbën shkelje të ligjeve të punës. Rojet e sigurisë punonin me turne 12-orësh dhe në temperatura prej 45 gradë Celsius për më pak se 8 paund në ditë.
Mësohet se drejtuesit e Liverpool kanë informuar FIFA-n dhe autoritetet e Katarit për vendimin e tyre për tu akomoduar në një hotel tjetër.
Sektori i turizmit dhe jo vetëm ka dalë jashtë kontrollit të autoriteteve në Katar, me shumë hotele që drejtohen nga korporatat globale siç është edhe Kempinski.
Katari është ende në mes të përgatitjeve për të pritur Kupën e Botës 2022. Gjatë viteve të fundit janë shtuar akuzat për shfrytëzimin deri në skllavëri të punëtorëve për ndërtimin e stadiumeve për këtë turne madhor.
Top Channel