Liverpooli barazon ndaj West Hamit
Kryesuesit e Premier League brenda dy javëve kanë shpërdoruar një avantazh prej pesë pikëve (që mund të kishte shkuar edhe 7) dhe tani ndodhen vetëm tre pikë mbi Manchester Cityn.
The Reds kanë barazuar ndeshjen e dytë radhazi, këtë herë 1-1 ndaj West Ham në London Stadium.
Ajo që të shqetëson më tepër është paraqitja e të besuarve të Jurgen Klopp. Mesa duket presioni është shumë i madh për lojtarët pa eksperiencë të Liverpool.
Megjithëse kaluan të parët në avantazh me Sadio Mane (një gol me fat pasi përgatitësi i golit Milner ishte dy metra pozicion jashtë loje), West Ham barazoi pak më pas me Antonion.
Liverpool nuk krijoi volumin e zakonshëm të lojës dhe sidomos në sulm ishin tepër të ngadaltë, por kjo edhe për meritë të mbrojtësve të West Ham.
Liverpool ka humbur freskinë e javëve të fundit dhe tani lufta e drejtpërdrejtë me Manchester Cityn ka filluar përsëri.