Liverpooli e sheh Adeyemin si zëvendësues të Salahut
Pavarësisht se e ka shprehur haptazi besnikërinë e tij ndaj “Të Kuqve” të Liverpoolit, sërish mosha bën të vetën dhe së shpejti në “Anfield” mund të mbërrijë një zëvendësues për “faraonin” Mohamed Salah.
Sipas raportimeve më të fundit të prestigjiozes gjermane “Bild”, mes shumë emrave të kërkuar nga tekniku Arne Slot është edhe “ylli” gjerman i “Verdhezinjve” te Borussia Dortmund, Karim Adeyemi, me 22-vjeçarin që i skadon kontrata në fund të këtij sezoni dhe një kalim në Premierë Ligë nuk përjashtohet. Megjithatë, duket se Liverpooli kërkon të sigurojë më shpejt shërbimet e “pistonit” të sulmit, teksa është gati të paguajë që në merkaton e dimrit plot 50 milionë euro për kartonin e tij.
Ndërkaq, kujtojmë se Karim Adeyemi ka pasur një nisje fantastike të këtij sezoni, teksa në tetë sfidat e para, në Bundesliga, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Gjermanisë ka arritur të shënojë plot pesë gola, si dhe të asistojë në pestë raste të tjera shokët e tij të skuadrës.