Liverpooli ia cakton çmimin Van Dijkut
Është zbuluar çmimi që Liverpooli po kërkon për ta lënë të lirë të largohet Virgil Van Dijkun pas raportimeve për interesim nga Superliga e Arabisë.
Van Dijk ka qenë objektiv kryesor i Fondit Publik të Investimeve në Arabinë Saudite, teksa ata po synojnë ta përmirësojnë edhe më shumë kualitetin e ligës arabe.
Teksa janë hedhur dyshime mbi të ardhmen e holandezit tek Liverpooli, TEAMtalk tani ka zbuluar se Liverpooli po kërkon 55 milionë euro për ta lënë atë të lirë të largohet këtë verë.
Për më shumë, raporti shton se klubet arabe besojnë që kërkesat e Liverpoolit janë shumë të larta për një lojtar në moshë, kontrata e të cilit skadon në më pak se një vit.
Kontrata aktuale e Van Dijkut me klubin anglez skadon në verën e vitit 2025, ndërsa Fondi i Investimeve Arabe synon që ta shtyjë marrëveshjen aq gjatë sa munden duke arritur një marrëveshje verbale me lojtarin, para se të kompletohet transferimi si lojtar i lirë verën e ardhshme.
Në një intervistë për Reuters javën e kaluar, Van Dijk kishte hedhur dyshime në lidhje me të ardhmen e tij tek Liverpooli.
“Nuk e kam as idenë më të vogël për momentin (për të ardhmen). Do të mendoj me kujdes këtë verë për atë që dua në nivel klubi dhe si një lojtar ndërkombëtar”.
“Pas një sezoni si ky, ku të gjitha gjërat ndodhën, bëhet emocionale në fund sepse ju e dini që ka mbaruar”, ka thënë Van Dijk.
Van Dijk me gjasë do të jetë në dispozicion të Arne Slot në sezonin e tij të parë në ‘Anfield’, sidoqoftë, e ardhmja e tij përtej kontratës aktuale tek Liverpooli, vazhdon të mbetet një mister.