Liverpooli ngjitet sërish në Premierligë, Arsenali humb në derbin londinez
Liverpooli është rikthyer sërish në krye të renditjes në Premier league, pasi fitoi me rezultatin 0-2 në transfertën uellsiane ndaj Cardiffit.
Të besuarit e Jurgen Klopp dominuan totalisht sfidën, duke kontrolluar topin për më shumë se 3/4-ën e lojës, ndonëse golin e avantazhit e gjetën pas 57 minutash lojë.
Ishte mesfushori holandez Wijnaldum që zhbllokoi sfidën për “The Reds”, pas një asisti të Alexander-Arnold, ndërsa sfidën e vuri në kasafortë James Milner me një 11-metërsh në minutën e 81-të.
Me këtë fitore, Liverpooli shkon në kuotën e 88 pikëve, ndërsa ka edhe tri ndeshje për të luajtur. Vetëm dy pikë më pak se “the reds” ka Manchester City, që ka në dispozicion një ndeshje më shumë, por e radhës do të jetë derbi ndaj Unitedit.
Në sfidat e tjera të ditës së sotme, Manchester United dhe Arsenal hodhën hapa falsë në garën për një vend në zonën Champions.
Kështu “djajtë e kuq” humbën me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Evertonit në transfertë, ndërsa Arsenali humbi derbin ndaj Crystal Palace me rezultatin 2-3.