Liverpooli përmbysë Southamptonin, merr kreun në Premier Ligë
Liverpool e ka mposhtur 3-1 me përmbysje Southampton dhe ka rimarrë përkohësisht kreun e Premier Ligës me 82 pikë, dy më shumë se Manchester City që ka një ndeshje më pak.
Shane Long ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 9-të për vendasit dhe ky ka qenë goli i 5000-të i pësuar nga Liverpool në kategorinë kryesore të futbollit anglez. Një gol që ka ardhur pothuajse 125 vite pasi Coombe Hall ka shënuar golin e parë kundër “Të Kuqve” për Blackburn-in në shtatorin e 1894-ës.
Miqtë janë kundërpërgjigjur me Naby Keita në minutën e 36-të, por u është dashur të presin minutën e 80-të për të realizuar të dytin me Salah, i cili ka dërguar topin në rrjetë pas një aksioni individual të mrekullueshëm. Egjiptiani, që nuk shënonte në kampionat prej gjashtë ndeshjesh, ka realizuar 50 gola në 69 ndeshje për Liverpoolin në Premier Ligë, vetëm Alan Shearer (66 – Blackburn) dhe Ruud van Nistelrooy (68 – Man United) e kanë arritur këtë shifër në më pak ndeshje në kampionatin anglez. Katër minuta para fundit ka ardhur edhe goli i Henderson, që ka vulosur shifrat në 3-1.