Liverpooli rrezikon eliminimin nga Liga e Kampionëve
Paris Saint-Germain ka mundur 2-1 Liverpoolin në Francë dhe është ngjitur në vendin e dytë të Grupit C, duke zbritur skuadrën e Jurgen Klopp në vendin e tretë.
Vendi i parë mbahet nga Napoli që ka mposhtur 3-1 Crvena Zvezda-n në “San Paolo”. Java e fundit e këtij grupi do të përcaktojë edhe ekipet që do kualifikohen mes 16 më të mirave, me anglezët që do të presin “axurrët” në “Anfield”, ndërsa PSG do të luajë në shtëpinë e Crvena.
Takimi i zhvilluar në “Parc des Princes” është zhbllokuar pas 13 minutash lojës falë një goli të Bernat, i cili ka përfituar nga një gabim i qendërmbrojtësit Van Dijk. Goli i dytë i vendasve ka ardhur në minutën e 37-të dhe është realizuar nga Neymar, i cili është bërë edhe braziliani me më shumë gola të shënuar në historinë e Champions League: 31.
Në minutën e fundit të pjesës së parë ka ardhur reagimi i miqve, të cilët kanë fituar një penallti me Mane, që është transformuar në gol nga Milner.
Nuk ka patur histori ndeshja tjetër e këtij grupi, me Napolin që ka zgjidhur gjithçka në pjesën e parë, me Hamsik (11′) dhe Mertens (33′) që kanë shënuar për “axurrët”. Në minutën e 52-të ka ardhur edhe goli i tretë i ekipit të Ancelottit, i realizuar përsëri nga belgu, që ka shkuar në kuotën e 100 golave me Napoli-n në të gjitha kompeticionet. Serbët kanë shënuar golin e nderit në minutën e 57-të me El Fardou Ben.