Livoreka: Drita do të angazhohet maksimalisht edhe ndaj Feronikelit

07 maj 2019 | 18:40

Përparim Livoreka ka thënë për “Epokën e re” se Drita është e gatshme ta ndalë Feronikelin ashtu siç bëri ditë më parë me Prishtinën.

Kampionia në fuqi e IPKO Superligës së Kosovës në futboll, Drita nga Gjilani, e ka humbur hapin për titull dhe është eliminuar nga gara e Kupës. Mirëpo kjo nuk po e pengon këtë skuadër të zhvillojë lojëra të mira dhe të marrë rezultate pozitive, duke e bërë kampionatin edhe më interesant në xhirot e fundit, ku vlen të ceket se në ndeshjen e fundjavës Drita e ndali në barazim Prishtinën (1-1), duke e lënë një hap pas në garën për titull.

Sulmuesi Përparim Livoreka ka thënë për “Epokën e re” se skuadra e Dritës është duke e respektuar në maksimum kampionatin dhe në secilën ndeshje hyn për rezultat pozitiv. “Ne po përgatitemi për secilën ndeshje dhe cilin kundërshtar. Lirisht mund të them se Drita po luan futbollin më të mirë, edhe pse nuk ka ambicie në këtë sezon, pra është jashtë objektivave në kampionat dhe Kupës. Megjithatë, jemi duke u mundur ta respektojmë në maksimum kampionatin dhe deri në ndeshjen e fundit do të luajmë në këtë mënyrë”, ka thënë Livoreka. Sulmuesi këmbëshpejtë që në të kaluarën ka qenë pjesë e Feronikelit, ka bërë me dije se Drita në Drenas udhëton për rezultat pozitiv. “Do të jetë një ndeshje shumë interesante dhe e fortë, pasi dihet se Feronikeli ka skuadër cilësore dhe në këtë ndeshje është vendës. Ne do të përgatitemi në maksimum dhe synim e kemi të marrim rezultat pozitiv edhe në këtë ndeshje”, ka thënë Livoreka, duke shtuar: “Ende nuk e dimë për mungesa por, pavarësisht se kush luan, që të gjithë do ta japim maksimumin për hir të kampionatit”.

Skuadra e Dritës, e cila në edicionin e kaluar u shpall kampione e Kosovës, kurse më pas u paraqit në garat paraeliminatore të Ligës së Kampionëve, e prezantoi Kosovën në mënyrë dinjitoze. Aktualisht ky klub renditet në pozitën e katërt me 48 pikë, duke mos qenë i përfshirë në luftën për titull e as në luftën për mbijetesë në Superligë.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për unitet…