Livoreka: Me Dritën dua tituj dhe Evropën

26 dhjetor 2017 | 17:27

Sulmuesi Përparim Livoreka është i vendosur të vazhdoj të djersitë fanellën e Dritës edhe në pranverë, më pas edhe të fitojë trofe dhe të paraqitet në garat evropiane. “Me Dritën kam kontratë deri në qershor dhe do ta respektoj deri në pikën e fundit. Shpresoj se brenda kësaj kontrate të fitojmë trofe dhe të paraqitemi në garat evropiane”, ka thënë Livoreka.

Përparim Livoreka është një nga lojtarët më të mirë në sezonin vjeshtor te skuadra e Dritës nga Gjilani. Ai të hënën për “Epokën e re” ka thënë se është i vendosur të mbetet besnik i këtij klubi deri në fund të edicionit, sepse synim ka fitimin e trofeve dhe pjesëmarrjen në garat evropiane: Ligën e Kampionëve ose Evropa Ligën.

“Personalisht jam i kënaqur me atë që kam treguar, sidomos në fund të sezonit vjeshtor. Disa lëndime më kanë penguar të jap edhe më shumë, por do të vazhdoj të punoj në vazhdimësi me ritëm të lartë dhe në pranverë të tregoj paraqitje edhe më të mira dhe ta ndihmoj klubin për arritjen e objektivit. Me Dritën kam kontratë deri në qershor dhe do ta respektoj deri në pikën e fundit. Shpresoj se brenda kësaj kontrate të fitojmë trofe dhe të paraqitemi në garat evropiane”, ka thënë Livoreka.

Ish-sulmuesi i Feronikelit dhe Lepencit i ka komentuar edhe rezultatet e Dritës në pjesën e parë të kampionatit 2017/2018 kurse, sipas tij, rezultatet kanë mundur të jenë edhe më të mira.

“Edhe pse kemi pasur shumë transferime deri te komponimi i ekipit, mund të them se kemi marrë rezultate të mira. Normalisht se kemi mundur të marrim rezultate edhe më të mira dhe të ishim liderë me disa pikë diferencë nga skuadrat e tjera. Jam shumë optimist se me trajnerin Bekim Isufi do ta ngrehim edhe më shumë kualitetin e lojës dhe do t’i arrijmë objektivat”, ka deklaruar ai.

Sulmuesi Përparim Livoreka në fund ka treguar edhe emrat e skuadrave që do të luftojnë për titullin e kampiones në Vala Superligë për faktin se diferenca vogël me pikë e mundëson një gjë të tillë. “Diferenca e vogël në mes të skuadrave kryesuese bënë që në pranverë Drita, Llapi, Prishtina, Trepça ’89, Liria dhe Feronikeli ta vazhdojnë garën për titull të kampiones”, ka përfunduar Livoreka. Skuadra gjilanase sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e tretë me 30 pikë, katër pikë më pak se lideri i elitës, Llapi.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se…