Lladrovci: 2 Prilli do të shënojë unitetin qytetar e nacional për heronjtë tanë të luftës dhe paqes
Kryetari i komunës së Drenasit, njëherësh kryetar i degës së PDK-së në Drenas, Ramiz Lladrovci, ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në ” Marshin për drejtësi”.
“Nesër, Kosova do të dëshmojë se heronjtë tanë të luftës e paqes nuk janë vetëm, do të dëshmojë unitetin tonë dhe solidaritetin me ta”, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i plotë në instagram:
Të gjithë në “Marshin për drejtësi”!
Me anëtarët e Kryesisë, asamblistët, kryetarët e nëndegëve të PDK-së, drejtorët e drejtorive dhe strukturat e partisë, diskutuam rreth organizimit të “Marshit për drejtësi” që mbahet nesër në Prishtinë.
Gatishmëria e të gjithë të pranishmëve dhe komunikimi me qytetarët për organizimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Drenasit në “Marshin për drejtësi”, na bën të besojmë se nesër, 2 prilli, do të shënojë hapin e pakthyeshëm të unitetit qytetar e nacional për heronjtë tanë të luftës dhe paqes që ndodhen në Hagë.
Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët, e kanë vendin në mesin e familjeve të veta, në mesin tonë, në Kosovën e vlerave euro-atlantike.
Nesër, Kosova do të dëshmojë se heronjtë tanë të luftës e paqes nuk janë vetëm, do të dëshmojë unitetin tonë dhe solidaritetin me ta, sot e gjithmonë, sepse, historia nuk rishkruhet. Ata janë historia dhe krenaria jonë!
Liderët tanë, meritojnë respektin dhe solidaritetin tonë dhe të gjithë shqiptarëve kudo jetojnë, me marshin më madhështor në historinë shtetit tonë të ri, Republikën e Kosovës.
Nesër, qytetarë, pa dallim, te Sheshi “Zahir Pajaziti”, drejt Sheshit “Skënderbeu”, ora 14:00, në Prishtinën e madhe!