![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/07/kryetari-lladrovci-1.jpg)
Lladrovci: Besoj fort në pafajësinë e Jakup Krasniqit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar në lidhje me bastisjen e EULEX-it që ka nisur mëngjesin e sotëm në shtëpinë e Jakup Krasniqit në Prishtinë, e që është duke vazhduar edhe në këto orë.
Lladrovci për këto bastisje ka thënë se është e pakuptimtë mënyra e bastisjes së EULEX dhe se kjo bastisje është kundrejt personalitetit të Jakup Krasniqit dhe familjes së tij.
Ai ka theksuar se shqetësimet e tilla janë të panevojshme e nuk mund të jenë vlera të Gjykatës Speciale.
“Sot njësitet e EULEX-it, me orë të tëra kanë zhvilluar bastisje në shtëpinë e ish zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, në Prishtinë dhe Negrovc. Për fat të keq, kjo qasje dhe mënyrë e bastisjes dhe aplikimit të metodës së aksionit të EULEX-it është e pakuptueshme dhe joproporcionale kundrejt personalitetit të z. Krasniqi dhe familjes së tij. Shqetësimet e tilla të panevojshme, nuk mund të jenë vlera të Gjykatës Speciale, të shtetit që po ndërtojmë dhe as të shtetit që synojmë”, ka shkruar Lladrovci në llogarinë e vet në “Facebook”.
Megjithatë, ai ka thënë se beson fort në pafajësinë e Krasniqit dhe të akuzuarve të tjerë ku ka theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtare.
“Besoj fort në pafajësinë e z. Krasniqi dhe të gjithë të akuzuarve të mundshëm të tjerë, sepse, lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtare”, ka shkruar Lladrovci.