Lladrovci dhe Ismajli nënshkruajnë pesë marrëveshje në fushën e energjisë
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka takuar drejtorin menaxhues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Ahmet Ismajli, me të cilin ka nënshkruar pesë marrëveshje të shërbimeve të energjisë.
Marrëveshja për shërbime të energjisë është bërë për ShFMU “Migjeni”, “Shote Galica”, “24 Korriku” dhe “Shaban Polluzha” si dhe Ambulancën e Mjekësisë Familjare në fshatin Nekoc.
Fondi do të investojë në renovimin e këtyre objekteve me masa eficiente, ku do të bëhet termoizolimi, ndërrimi i kulmit dhe izolimi i tij, ndërrimi i ngrohjes qendrore dhe ndriçimi efiçient. Vlera e këtyre marrëveshjeve është mbi 645 mijë e 870 euro.
Me këtë rast, kryetari Lladrovci ka falënderuar drejtorin menaxhues të FKEE-së, për investimet e deritashme dhe investimet që do të ndërmerren për kursimin e energjisë në këto pesë objekte me rëndësi për qytetarët dhe për komunën.
Po ashtu, ata kanë diskutuar për mundësitë e investimit të masave eficiente në sektorin rezidencial, në objektet e banimit social që janë në Komunën e Drenasit dhe në ekonomitë familjare me kushte të rënda sociale.