Lladrovci: E kujtojmë me nderim qëndresën e familjes Jashari përball sulmit serb
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar sulmin ndaj familjes Jashari 21 vite me parë nga forcat serbe, duke thënë se ajo ditë hyri në histori, sepse, ishte edhe fillimi i fundit të okupimit serb.
“Sot e gjithë jetën, jemi falënderues ndaj familjes emblematike Jashari, e cila përjetësoi rezistencën me frymën heroike skënderbejane deri në çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit”, ka shkruar Lladrovci në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Sot, e kujtojmë me nderim të thellë, qëndresën e Familjes Jashari përball sulmit të militarëve serbë, para 21 vitesh. Ajo ditë hyri në histori, sepse, ishte edhe fillimi i fundit të okupimit serb.
Ky sulmi i dytë i falangave serbe, jepte argumente të fuqishme se i madh e i vogël i Familjes Jashari, do t’i qëndronte përball forcave serbe, me tërë kapacitetin njerëzor e mbinjerëzor, për liri dhe çlirim.
Familja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, do ta turpëronte një regjim gjakatar që për rreth një shekull, provoi ta nënshtronte kombin shqiptar.
Sot e gjithë jetën, jemi falënderues ndaj familjes emblematike Jashari, e cila përjetësoi rezistencën me frymën heroike skënderbejane deri në çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit.
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi e përjetshme Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari!
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
/Epoka e re/