Lladrovci: E qëlluar, por e vonuar iniciativa për Tribunal për gjykimin e krimeve serbe
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka folur për iniciativën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për themelimin e një Gjykate apo Tribunali për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë.
Duke e vlerësuar atë si iniciativë të qëlluar, Lladrovci thotë se do të duhej të bëhej më herët.
Ai në një intervistë për “Ekonomia Online” thotë se kontributi dhe dëshmitë e Vasfije Krasniqi-Godman si dhe deklarimet në Kongresin Amerikan të ish-presidentes Jahjaga janë sinjale për krijimin e kësaj Gjykate.
“Iniciativa është shumë me vend, është dashtë të jetë edhe ma herët kjo iniciativë edhe dëgjimet ose deklaratat e zonjës Godman dhe ish-presidentes Jahjaga janë disa nga veprimet tashmë që kanë filluar për të bërë një gjykatë për krimet e luftës, sidomos ato të dhunimeve që i kanë bërë aparatura serbe në Kosovë. Unë e kam vizituar edhe zonjën Kadire e cila ka bërë shumë në këtë aspekt, e kam falënderuar për gjithçka që po bën që kjo Gjykatë ose këto krime të dalin para drejtësisë”, tha Lladrovci.
E, duke folur për projektet komunale, Lladrovci tha se sfida më e madhe në Komunën e Drenasit është çështja e ambientit, trajtimi i ujërave të zeza mungesa e ujit të pijes si dhe mbeturinat në shumë zona.