Lladrovci, Jashari e Gashi thellojnë bashkëpunimin
Sot, kryetarët e Skënderajt dhe Drenasit, Z. Bekim Jashari dhe Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë, kanë qëndruar në Kastriot, ku i priti kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi.
Sipas Ramiz Lladrovcit, takimi i sotëm ka të bëj me “bashkëpunimi ndërkomunal”, që sipas tij “është vlerë e çdo komune, ngase, bëhet për çështjet jetike të banorëve të këtyre komunave, fshatrave në kufijtë komunal, për infrastrukturën dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve”.
Këtij bashkëpunimi ndërkomunal, pritet t’i bashkohet edhe Vushtrria.
Këtu është shkrimi i Lladrovcit në rrjetin social:
“Sot, zhvilluam një nga takimet më përmbajtjesore sa jam në krye të komunës, mora pjesë në takimin e tre kryetarëve të komunave, të Drenasit, Skënderajt dhe Kastriotit, nënkryetarët e komunave, dhe tre kryesuesit e asambleve komunale, si dhe me drejtorët e drejtorive të këtyre tri komunave, me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit.
Bashkëpunimi ndërkomunal, është vlerë e çdo komune, ngase, bëhet për çështjet jetike të banorëve të këtyre komunave, fshatrave në kufijtë komunal, për infrastrukturën dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve.
U zotuam se së shpejti, do të kemi edhe takime tjera, ku presim të na bashkëngjitet edhe komuna e Vushtrrisë. Bashkëpunimi ndërkomunal dhe drejtorive respektive, lehtëson edhe punën e pushtetit lokal, por edhe ofertën për investitorët”.