Lladrovci kërkon përshpejtimin e procesit të privatizimit
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur të martën në takim përfaqësuesit e Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP) me të cilët ka biseduar për rreth identifikimit të aseteve të rëndësishme të komunës së Drenasit, të cilat menaxhohen nga AKP-ja.
Në këtë takim pjesëmarrës ishin, kryesuesi i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, zëvendëskryesuesi Bajram Zejnullahu, zëvendësdrejtoresha menaxhuese, Valbona Dibra dhe drejtori i koordinimit rajonal, Petrit Ibraj.
Lladrovci ka falënderuar përfaqësuesit e AKP-së për vizitën, dhe ka kërkuar nga AKP-ja që konform mandatit që kanë, që pronat të cilat janë në interes të zhvillimit të Komunës, të përjashtohen nga procesi i shitjes në mënyrë që t’u epet mundësia për kthimin e tyre në pronë komunale.
Ndërsa kryesuesi i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, ka falënderuar kryetarin për takim dhe ka informuar se pronat e identifikuara të cilat janë me interes publik për komunën e Drenasit do të trajtohen me interes të veçantë.