Lladrovci kërkon që të merren masa për sigurinë publike në Drenas
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Drenasit, ka mbajtur mbledhjen e rregullt ku të pranishëm ishin anëtarët e KKSB-së, monitorues nga misioni i OSBE-së, KFOR-it dhe UNMIK-ut.
Në këtë takim u fol për përgatitjet e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) dhe Stacionit Policor për parandalimin e dukurive negative për vitin shkollor 2019/2020. Gjithashtu u raportua për aktivitetet gjatë “Muajit të Mërgatës” dhe u diskutua për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Florim Gecaj ka folur për përgatitjet e vitit shkollor 2019/2020, duke theksuar se policia ka bërë plane konkrete për sigurinë në shkolla dhe në komunikacion.
Nënkryetari i komunës, Nazmi Hasi ka kërkuar që të bashkëpunojnë me Stacioni Policor në Drenas me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe me drejtor të shkollave për të ruajtur sigurinë publike në institucionet arsimore. Ndërsa drejtori i DKA-së, Tafil Halilaj ka treguar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor e gjithashtu kanë pasur takim edhe me Asociacionin e Komunave për të parandaluar dukuritë negative.
Në pikën për raportimin mbi “Muajin e Mërgatës” , ka raportuar drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shqipe Zogu e cila ka treguar detajet e shënimit të këtij eventi i cili tanimë është bërë tradicional.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar nga Komisioni Komunal Zgjedhor, Stacioni Policor në Drenas dhe nga të gjithë akteret tjerë që të ndërmarrin masat me kohë për të mos pasur probleme të natyrës që dëmtojnë procesin e zgjedhjeve dhe sigurisë publike, siç ka ndodhur në zgjedhjet e fundit lokale dhe policia nuk i ka marrë masat e duhura për rastet e raportuara.