Lladrovci: Lajmi tronditës se do të akuzohen Thaçi e Veseli, më shqetësoi pa masë
Zyra e Prokurorit të Specializuar u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Ndaj këtij lajmi ka reaguar kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka thënë se dy udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, deri më tani ishin të vetmit që nuk janë ndjekur penalisht.
Postimi i plotë i tij në llogarinë e vet “Facebook”:
Në kohën kur presim që shteti ynë të marrë përkrahje për fuqizimin e shtetësisë, sundimin e ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve, ne marrim lajm të padrejtë, nga institucioni i drejtësisë!
Dy udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, deri më tani ishin të vetmit që nuk janë ndjekur penalisht. Lajmi tronditës se do të akuzohen, më shqetësoi pa masë.
Tashmë, të gjithë drejtuesit madhor të UÇK-së, e përjetuan përndjekjen.
Edhe drejtësia ndërkombëtare e di, ashtu sikurse të gjithë ne e dimë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë e pastër dhe e drejtë.
Asnjë tendencë për të njollosur udhëheqësit tanë, në asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund të ketë sukses.
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!