Lladrovci: Ma para e qes konopin e vjerrna sesa bëhem dëshmitar kundër Thaçit
Ramiz Lladrovci, kryetar aktual në Komunën e Drenasit dhe kandidat për një mandat tjetër nga radhët e PDK-së, ka thënë se ai nuk është dëshmitar në Hagë kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Në një intervistë për emisionin “A23” në “ATV”, Lladrovci ka thënë se kanë qenë kundërshtarët e tij ata të cilët kanë pretenduar se ai do të jetë dëshmitar në Hagë kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Keqbërësit janë munduar të bëjnë një politikë shumë të keqe kishe i ka thirrur Hashim Thaçi nga Haga dhe iu ka thanë rrëzone Ramiz Lladrovcin se është dëshmitar në Hagë kundër meje. Unë me qenë dëshmitar kundër miqve të mi, kundër shokëve të mi, kundër bashkëpunëtoreve të mi, ma para e qes konopin me një degë e vjerrna sesa bohna dëshmitar dhe skam pse bana dëshmitar sepse ata janë të pafajshëm dhe unë pres që ata të kthehen në Kosovë dhe tu bashkohen familjeve dhe shoqërisë”, ka thënë ai.
Ndërsa në lidhje me ankesat se në Komunën e Skenderajt ka pasur manipulime të votave, Lladrovci thotë se nuk e di si kanë shkuar gjërat atje sepse ka qenë i fokusuar në komunën e tij.
Ndryshe Ramiz Lladrovci në zgjedhjet e 17 tetorit ka dalë i pari në bazë të rezultateve preliminare, por që Komuna e Drenasit do të shkojë në balotazh, e në lidhje me balotazhin ai ka thënë se janë shumë para subjektit të dytë dhe se fitorja është e garantuar.