Lladrovci me bashkëpunëtorë bënë homazhe te varri i Shaban Polluzhës
Me rastin e shënimit të 78-vjetorit të rënies së heroit të kombit, Shaban Polluzha, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe pranë varrit të tij në fshatin Polluzhë të Drenasit si dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta.
Shaban Polluzha lindi në Polluzhë të Drenasit më 1871. Mbiemrin e mori sipas fshatit të lindjes, ndërsa i përket fisit Kastrati. U rrit dhe u edukua në një familje me traditë kombëtare, e njohur edhe për zgjidhjen e konflikteve ndërfamiljare e ndërnjerëzore. Ishte edhe kryetar i Këshillit Pajtues në Drenicë.
Shaban Polluzha ra heroikisht më 21 shkurt të vitit 1945, pas një lufte të ashpër në kullat e Hasan Sylës në Tërstenik, kundër divizioneve të shumta ushtarake jugosllave të cilat vrisnin dhe plaçkitnin popullsinë civile.