Lladrovci nënshkruan marrëveshje për financimin e 20 bursave për studentë të Drenasit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim përfaqësuesit e kompanisë “Altrade Holding” dhe “Altrade Center” me të cilët ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për financimin e 20 bursave për studentët e kësaj komune.
Në kuadër të marrëveshjeve, kompania “Altrade Holding” financon dhjetë bursa dhe “Altrade Center” dhjetë të tjera për vitin akademik 2018/2019.
Vlera e një burse për gjithë vitin akademik është 500 euro, 50 euro për muaj. Lladrovci ka falënderuar përfaqësuesit e kompanisë për këtë ndihmë dhe ka vlerësuar se ky investim ne studentët e dalluar do të jetë për të mirën e vendit, sepse të njëjtit do të shfrytëzojnë profesionalizmin në Drenas e Kosovë.
Komuna e Drenasit nga buxheti komunal këtë vit ka ndarë 160 bursa, 140 prej tyre për nivelin bachelor dhe 20 për master. Ndërsa 20 bursat nga të dy kompanitë që kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, studentët përfitues do të jenë të nivelit bachelor dhe sipas ranglistës pritëse, nga numri 141 deri në numrin 160.
Kryetari Lladrovci ka thënë se përfitues të bursës për studentët e nivelit bachelor dhe master përmes donatorëve, do të jenë të gjithë ata që i kanë plotësuar kriteret e konkursit, që janë në listën pritëse, pra gjithsej 227 studentë.
Të gjitha informatat për plotësim të dokumentacioneve i gjeni në uebfaqen zyrtare të Komunës së Drenasit: https://kk.rks-gov.net/gllogoc/category/shpalljet/.
/Epoka e re/