Lladrovci ngushëllon familjen e Daut Zeqirit: I paharrueshëm për veprimtarinë atdhetare dhe pjesëmarrja në tri luftërat çlirimtare

23 janar 2022 | 22:13

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci nëpërmjet rrjetit social me telegram ka ngushëlluar familjen e atdhetarit të hershëm dhe veteranin e tri luftërave çlirimtare, Daut Zeqiri, nga Shemshova e Tetovës, i cili kishte jetuar dhe punuar në Drenas.

Te Dauti, në lokalin “Teuta” në Drenas, unë dhe dhjetëra atdhetarë të komunës tonë dhe më gjerë, me vite, e kishim vendin e besueshëm të pikëtakimeve tona me qëllim të veprimtarisë tonë kundër okupatorit, ka shkruar Lladrovci.

Shkrimi i tij i plotë:

Telegram ngushëllimi

E nderuara Familje Zeqiri, Shemshovë, Tetovë
Me dhimbje të madhe mora lajmin se Dauti ka ndërruar jetë.

Ky lajm na tronditi pa masë, sepse, ruajmë kujtimet më të mira për punën e tij në Drenas. Ai ishte shok besnik i idealeve për çlirim, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare në Kosovë dhe trojet tjera etnike.

Veprimtaria jonë çlirimtare nuk do të ishte e mundur pa shokët atdhetarë si Dauti, me vendosmërinë dhe guximin e të cilit ne ishim krenar, andaj, Familje e nderuar Zeqiri, nuk jeni vetëm në këtë dhimbje të madhe.

Te Dauti, në lokalin “Teuta” në Drenas, unë dhe dhjetëra atdhetarë të komunës tonë dhe më gjerë, me vite, e kishim vendin e besueshëm të pikëtakimeve tona me qëllim të veprimtarisë tonë kundër okupatorit.

Madje, me shumë shokë, nga ky lokal jemi nisur në drejtim të Prekazit kur është sulmuar për herë të parë Kulla e Jasharajve më 30 dhjetor 1991. Dauti do të ishte gjithmonë gatitu për çdo detyrë që e shihte të dobishme për çlirim, duke qenë krah i fortë dhe besnik i paepur i çështjes kombëtare.
Veprimtaria e tij e hershme atdhetare, nga vitet ’80 deri në pjesëmarrjen në tri luftërat çlirimtare, kurrë nuk do të harrohet.

Familje e nderuar Zeqiri, miq e dashamir të Dautit, mbahuni të fortë dhe pranoni ngushëllimet më të përzemërta nga unë dhe në emër të qytetarëve të komunës së Drenasit.
Ramiz Lladrovci

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të hënën, më 24 janar, do të mbahet seancë e…