Lladrovci për zjarrin: Për keqardhje që askush nga MINT dhe KIESA, nuk ishte në vendin e ngjarjes
Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci ka reaguar edhe njëherë pas zjarrit të madh që përfshiu një fabrikë tek Parku i Biznesit e ku shkaktoj dëme të mëdha materiale e ekologjike.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Lladrovci ka falënderuar zjarrëfikësit të cilët ndihmuan në lokalizimin e zjarrit.
Kryetari i Drenasit, pati kritika për ministrin e Industrisë për heshtjen e tyre.
“Është për keqardhje se askush nga MINT dhe KIESA, deri më tash, nuk ishte në vendin e ngjarjes as për tu informuar rreth katastrofës”, ka shkruar ndër të tjera Lladrovci
Postimi i plotë:
Sot, ka ngjarë një katastrofë ambientale në komunën tonë dhe më gjerë, njëherësh dëme shkatërruese në Fabrikën e Plastikës në Qendrën e Biznesit Drenasi I, për shkak të zjarrit të madh që e kaploi atë para dite. Menjëherë, kam aktivizuar Shtabin emergjent dhe kemi dalë në vendin e ngjarjes, ku pronarët e punëtorët ishin të tronditur nga kjo humbje, por kishin shqetësim edhe bizneset tjera në afërsi se mos flakët përhapen drejt tyre.
Falënderoj zjarrfikësit e Drenasit, të cilët si çdo herë janë në krye të detyrës, kompaninë “Pastrimi” – njësia Drenas, të gjithë zjarrfikësit të cilët na erdhën në ndihmë për ndaljen e zgjerimit të vatrës së zjarrit, nga Malisheva, Skenderaj, Prishtina, Lipjani, Rahoveci, si dhe Njësia Speciale e Kosovës e cila po e lokalizon zjarrin me topa uji. Falënderoj kryetarët e komunave që ofruan përkrahje në këtë katastrofë, në veçanti z. Muharremaj dhe z. Latifi.
Falënderoj Policinë e Kosovës-Stacioni në Drenas, ministrin Krasniqi dhe Sfeçla, zv. ministrin Gashani, Njësinë Speciale të PK, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe z. Shefki Abdullahu, KFOR-in i cili ishte gati të ndërhynte edhe me helikopter dhe pjesëmarrjen me automjete zjarrfikësish, institucionet tjera që u gjenden pranë nesh, në këtë ditë të rëndë e të vështirë për pronarët e Fabrikës së Plastikës, pronarët në Qendrën e Biznesit Drenasi I, si dhe qytetarët të cilët u rrezikuan nga ky zjarr dhe tym i dendur.
Është dhimbje e madhe për dëmet e shkaktuara nga zjarri në Fabrikën e Plastikës, për ambientin e komunës tonë dhe më gjerë, por, për fat, nuk pati asnjë punëtor të lënduar e as biznese tjera të dëmtuara në Qendrën e Biznesit Drenasi I. Është për keqardhje se askush nga MINT dhe KIESA, deri më tash, nuk ishte në vendin e ngjarjes as për tu informuar rreth katastrofës.