Lladrovci përjashton përkohësisht nga PDK tre asamblistë
Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë vendim për përjashtimin e përkohëshëm të tre asamblistëve të PDK-së nga Grupi i asamblistëve dhe nga funksionet tjera të nivelit lokal.
Edhe më herët, z.Lladrovci ka paralajmëruar se me synim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve dhe të PDK-së që është mbi interesin e grupeve të caktuara që po veprojnë në kundërshtim me politikat e Degës së PDK-së në Drenas dhe në kundërshtim me marrëveshjet paraprake të Grupit të asamblistëve, të koordinuar para Mbledhjeve të Kuvendit të Drenasit.
Në pajtim me Statutin e Partisë Demokratike të Kosovës, në letrën e dërguar Kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit dhe Kryesisë, ka marrë vendim për përjashtim të përkohshëm nga Dega e PDK-së në Drenas, të: Labinot Halilaj, Arigon Sinani dhe Hamit Kastrati, ka shkruar Lladrovci.
Ky vendim për përjashtim të përkohshëm është marrë për arsye se tre asamblistët kanë vepruar në kundërshtim me interesin e partisë, në kundërshtim me vendimin e Grupit kuvendor të PDK-së dhe propozimeve të Kryetarit të komunës së Drenasit, lidhur me: “Miratimin e planit rregullues të hollësishëm për Qendrën e qytetit-Gllogoc”.
Në letër, Lladrovci ka evidentuar edhe disa nga kundërshtimet tjera në Kuvendin e Drenasit të këtyre tre asamblistëve për çështjet me rëndësi për komunën e Drenasit, në pajtim me Statutin e PDK-së, disa nga pikat e neneve 94 dhe 95.
„Konsideroj se sjelljet e tilla, jo vetëm që bllokojnë zhvillimin e komunës së Drenasit, por kanë jehonë negative për asamblistët e PDK-së dhe klimës së unitetit brenda degës së PDK-së në Drenas dhe partisë në përgjithësi“, ka shkruar Lladrovci.