Lladrovci raporton para qytetarëve për punën gjashtëmujore të tij

18 qershor 2020 | 15:36

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur takim me qytetarët, ku ka raportuar para tyre për punën gjashtëmujore të këtij viti dhe planifikimin e punëve për pjesën e dytë të vitit 2020.

Takimi është mbajtur në sallën e Kulturës për shkak të mbajtjes së distancës ndërmjet pjesëmarrësve.

Në këtë takim kanë marrë pjesë, drejtorë të drejtorive komunale, kryetarë të vendbanimeve, përfaqësues të lagjeve dhe qytetarë, ku janë diskutuar aktivitetet e komunës së Drenasit  të kryera për pjesën e parë të vitit, raporton “Epoka e re”.

Takimin e ka hapur, udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra, i cili ka treguar për rëndësinë e këtij takimi me publikun dhe ka treguar se njoftimi është bërë me kohë dhe atë sipas ligjit.

Ndërsa kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e treguar gjatë pandemisë dhe në realizimin e projekteve. Lladrovci ka raportuar për gjitha punët e kryera gjatë kësaj kohe, sfidat me pandeminë globale Covid-19 dhe për realizimin dhe ngecjen e projekteve kapitale. “Deri në muajin maj kemi pasur vështirësi në realizimin e projekteve kapitale, për shkak se niveli qendror na ka pamundësuar të zhvillojmë procedura të prokurimit, por vetëm për një muaj, pra nga muaji maj e deri më tani, janë në proces për realizimin e projekteve mbi 2 milionë euro dhe me këtë trend të realizimit deri në përfundimin e këtij viti, besoj që do të realizojmë të gjitha projektet e planifikuara për këtë vit, përkundër sfidave që kanë dalë nga pandemia globale”, ka thënë Lladrovci.

Në anën tjetër, të pranishmit, kanë shtruar pyetje dhe kanë dhënë propozimet dhe sugjerimet e tyre për përfaqësuesit e zgjedhur komunal lidhur me realizimin e projekteve të planifikuara për gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 dhe ato që janë të planifikuara për pjesën tjetër të vitit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Blerim Kuçi ka pritur…