Lladrovci sfidon partitë e tjera: Kundër 30 kandidatëve fitoj veç vet
Komuna e Drenasit gjatë vitit 2020 është shpallur komuna e parë për performancë në mesin e 38 komunave të Kosovës.
Me këtë rast, kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, ka thënë se ky vlerësim është si rezultat i punës dhe bashkëpunimit që kanë pasur me qytetarët.
Lladrovci ka thënë se është i gatshëm të kandidojë edhe për një mandat nëse ia jep besimin Partia Demokratike e Kosovës, derisa është shprehur i bindur se do të vazhdojë të jetë në krye të Drenasit edhe për katër vitet e ardhshme.
“E pres vlerësimin e punës time nga Partia Demokratike e Kosovës, unë i nënshtrohem plotësisht vendimeve të partisë. Në qoftë se partia e konsideron se unë duhet të vazhdojë edhe një mandat, unë do të kandidojë edhe për një mandat, në qoftë se kandidojë dhe fitojë atë mandat do të jetë mandati i fundit si kryetar i komunës sepse nuk do të kandidojë më shumë”, ka thënë Lladrovci për “Kosovapress”.
Ai është shprehur i bindur se do ta ketë besimin e qytetarëve për ta udhëhequr edhe për 4 vite Drenasin. Madje, Lladrovci ka theksuar se partitë e tjera po të nxjerrin 30 kandidatë, ai sërish do të fitojë.
“Qytetarët e Drenasit me aq sa unë kam informacione, janë shumë të kënaqur me punën tonë. Nëse më pyet mua a je ti i kënaqur me punën tënde, unë kisha me thënë që nuk jam sepse kemi mundur dhe mundemi të bëjmë shumë më shumë… As nuk e diskutoj, jam shumë i bindur që qytetarët më besojnë edhe për një mandat edhe nëse ata i nxjerrin edhe 30 kandidatë, unë jam i bindur që kundër të 30-ve fitojë veç vet”, ka thënë Lladrovci.