Lladrovci takohet me përfaqësuesit e Fondit kosovar për efiçiencë të energjisë
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i shoqëruar nga drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Lumnije Krapi dhe menaxheri komunal për energji, Afrim Prokshi, kanë pritur në takim drejtorin e Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, Admir Shala i cili ishte i shoqëruar nga anëtari i Bordit të këtij fondi, Artan Berisha.
Lladrovci ka njoftuar të pranishmit se komuna ka bërë investime të shumta në fushën e energjisë, si në objekte arsimore, shëndetësore dhe kulturore, por ka theksuar se nevojat janë ende të mëdha dhe të domosdoshme për investime të reja në këtë fushë dhe ka falënderuar interesimin e Fondit për thirrjen publike që e kanë bërë për investime të reja.
Ndërsa drejtori i Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, Admir Shala, ka njoftuar për mënyrën e aplikimit të komunave dhe se këto investime që do të bëhen nuk janë borxh publik, por ato kthehen në fond të kursimeve të energjisë për objektet që do të behët renovimi i tyre me masa efiçiente.
Fondi i Kosovës për Eficiencë të Energjisë, ka lancuar thirrjen për aplikim të komunave në këtë fond dhe do të zgjas deri më 30 qershor dhe të drejtën e aplikimit e kanë të gjitha komunat në Kosovë dhe kanë të drejtë aplikimi deri në 5 projekte në vlerën prej 500 mijë euro. (L.G/ Epoka re)