Lladrovci takon bizneset shqiptare në Slloveni
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Slloveni ka takuar dhjetëra biznesmen nga Kosova të cilët merren me veprimtari biznesore në këtë vend.
Në takimin që ka pasur me biznesmenët, ka përgëzuar për punën dhe besimin që kanë krijuar në diasporë, në veçanti në shtetin e Sllovenisë.
“Biznesmenët tanë kanë krijuar emër dhe besim kudo që kanë punuar në diasporë. Ashtu është edhe në Slloveni. Bashkëkombësit tanë me punë e përkushtim u integruan shpejt në vlerat dhe mundësitë që ofron shteti mik slloven dhe kanë bërë emër të mirë këtu”, ka thënë kryetari Lladrovci.
Lladrovci ka treguar për punën që bën pushteti lokal në Drenas dhe ai qendror për të tërhequr investitorët.
Ai ka theksuar se klima e të bërit biznes është shumë e favorshme duke ofruar kushte dhe lehtësira maksimale ligjore për të ngritur veprimtarinë sidomos në Qendrën e Biznesit në Drenas.
Kryetari Lladrovci gjatë takimit me bizneset në Slloveni ka ftuar për vizitë në Drenas për të parë nga afër kapacitetet dhe vullnetin e mirë për të investuar, duke përmendur pikat më tërheqëse për të zhvilluar biznesin, duke potencuar edhe përkrahjen e plotë të komunës.
/Epoka e re/