Lladrovci takon biznesmenët e Kosovës në Gjermani, i përgëzon dhe fton të investojnë në Kosovë
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjatë qëndrimit në Baden-Württemberg të Gjermanisë, ka vizituar biznesmenë të suksesshëm të Kosovës në këtë njësi federale, dhe ka ftuar ata të investojnë në Kosovë.
Përvoja e fituar këtu, për qytetarët tanë, do të jetë shumë e mirëseardhur për të përshpejtuar zhvillimin e Kosovës, në veçanti komunat sikur është Drenasi, ka shkruar Ramiz Lladrovci në rrjetin social.
Postimi i plotë i tij:
“Biznesmenët tanë kanë dëshmuar aftësi të mëdha në menaxhimin e kompanive shumë të suksesshme këtu në Baden-Württemberg. Ndër ta, duhet të veçoj z. Lulëzim Beqiri, z. Albert Bucolli, z. Lulëzim Beqiri, z. Junik Tahiri dhe z. Skender Azemi, të cilët në zonat ndër më turistiket në Gjermani, kanë arritur që biznesin e tyre ta bëjnë të madh dhe të respektueshëm në këtë zonë.
Isha shumë i lumtur me suksesin e biznesmenëve tanë. Këto suksese vijnë pas angazhimit të madh dhe përkushtimit të pashoq të vëllezërve tanë në mërgim.
Në takim me biznesmenët, theksova përkushtimin për mikpritjen e investitorëve si nga niveli lokal edhe atij qendror, me lehtësime maksimale, si dhe përkrahje ligjore e institucionale për të bërë biznes të suksesshëm në komunën tonë dhe në Kosovë.
Përvoja e fituar këtu, për qytetarët tanë, do të jetë shumë e mirëseardhur për të përshpejtuar zhvillimin e Kosovës, në veçanti komunat sikur është Drenasi.
Jemi krenar me të arriturat e bashkatdhetarëve tanë, njëherësh, ju ofrojmë mundësitë ligjore për të qenë të suksesshëm edhe në Kosovës me bizneset që ata i bëjnë të suksesshëm në Gjermani.
Faleminderit për mikpritjen, ju pres po ashtu edhe në komunën e Drenasit!”