Lladrovci thotë se Drenasi ka përmbushur 12 parimet e Këshillit të Evropës për Qeverisje të Mirë
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të enjten ka pritur në takim drejtorin Zyrës Regjionale të OSBE-së në Mitrovicë, Nikolaos Kavallaris-Ladis, me të cilin ka diskutuar lidhur me çështjet e përgjithshme të zhvillimeve në Komunën e Drenasit.
Lladrovci i ka uruar mirëseardhje drejtorit Ladis dhe ka falënderuar për punën e kësaj organizate shumë të rëndësishme për shtetin tonë dhe politikat që e mbulojnë qeverisjen lokale.
Ai e ka njoftuar Ladisin për instalimin e barazisë gjinore në Drenas, projektet që janë zhvilluar, ato që janë duke u zhvilluar dhe për projektet e rëndësishme që pritet të realizohen gjatë viteve në vazhdim.
“Jemi kampion të qeverisjes së mirë, transparente, llogaridhënëse, me respektim të barazisë gjinore në pushtetin lokal dhe pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje. Drenasi ka përmbushur 12 Parimet e Këshillit të Evropës për Qeverisje të Mirë Demokratike dhe për këtë jemi shpërblyer nga Shoqata Evropiane për Demokraci Lokale”, ka thënë kryetari Lladrovci, duke njoftuar të pranishmin edhe për sfidat që po i sjellin projektet e filluara, të papërfunduara me vite nga niveli qendror, projektet me kosto të lartë e të papërballueshme për komunën, ruajtjen e ambientit, ujin e pijes, kolektorët, ruajtjen e pronës publike, etj.