Lladrovci: Vota për Naitin në Kuvend, do të jetë votë për Kosovën ma mirë
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim kandidatin për deputet nga PDK-ja, Nait Hasanin, i cili në këto zgjedhje është pjesë e listës së PDK-së me numër 42.
“Naiti, është shok imi dhe një nga bijtë më të çmuar të interesit kombëtar. Pas torturave të mëdha në Burgun e Prishtinës, jam liruar dhe dy shokët e mi besnik, Hashimi dhe Kadriu e morën përsipër të më shoqëronin për Tiranë, nëpërmjet Dibrës. Kur i kam pyetur dy shokët se kush na ndihmon për kalimin ilegal të kufirit në Dibër, më thanë se na ndihmon një shok. Shoku i cili na ndihmoi ta kalojmë ilegalisht kufirin në vjeshtën e vitit 1992, por, nuk e dija emrin e tij të vërtetë, ka qenë Naiti”, ka shkruar në “Facebook” Lladrovci.
Ai ka thënë se disa herë e ka theksuar dhe falënderuar publikisht Hashimin dhe Kadriun për angazhimin e tyre, por, nuk e ka menduar se personi i panjohur që na ka shoqëruar dhe ndihmuar për kalimin ilegal të kufirit ka qenë Naiti.
“Jeta e Naitit ka qenë përkushtim shembullor, i pandalshëm atdhetar në organizimin dhe fuqizimin e luftës çlirimtare. Pas torturave të mëdha dhe lirimit nga burgu, Naiti në Kosovën e çliruar pati përgjegjësi institucionale të cilat i kreu me nder dhe përkushtim. Sot, Nait Hasanin e prita në takim dhe i urova sukses në zgjedhjet nacionale, më 9 Shkurt. Vota për Naitin në Kuvend, do të jetë votë për Kosovën ma mirë dhe Bedri Hamzën kryeministër. Kosova ka nevojë për deputetë me integritet, konsekuent dhe atdhetar të sinqertë si Naiti”, ka shkruar Lladrovci.