Llapi barazoi në miqësore me Tuzlasporin
Skuadra e Llapit ka zhvilluar ndeshjen e parë kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore që po mbahet në Antalya të Turqisë, ndaj skuadrës nga Liga e Parë turke, Tuzlaspor.
Ndeshja përfundoi me shifrat e barabarta 1-1 me skuadrën e Llapit që kaloi në epërsi në minutën e 35 të ndeshjes me realizator Muhamet Hysenin i cili u shërbye nga Valmir Veliu, i cili asistoi pas një depërtimi në zonë nga e majta, ndërsa mysafirët barazuan në minutën e fundit të pjesës së parë, nga rivënia nga këndi.
Trajneri i skuadrës, Tahir Batatina inkuadroi të gjithë futbollistët në këtë ndeshje, përveç Sava Gardaseviq i cili kishte një dëmtim të lehtë e që nuk u rrezikua për këtë ndeshje si dhe dy futbollistët tjerë që stërvitën individualisht: Liridon Leci dhe Ahmet Haliti.
Këtë ndeshje nga afër e përcolli futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës dhe Akhmat Groznyt, Bernard Berisha. Trajneri Batatina e falënderoi për prezencën e tij, ku pati rastin të shoh nga afër skuadrën tonë ndaj Tuzlasporit.