Llapi barazon në ndeshjen e kthimit me Brondbyn, por eliminohet
Sulmuesi i krahut te Llapi, Elvir Gashijani shkëlqeu në ndeshjen e kthimit të Ligës së Konferencës kundër Brondbyt në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, duke shënuar dy gola spektakolarë në barazimin 2:2.
Pavarësisht humbjes së thellë 6:0 në ndeshjen e parë në Danimarkë, Llapi arriti të tregojë shpirt luftarak dhe të shmangë një tjetër humbje.
Gashijani, 17-vjeçar, hapi rezultatin në minutën e 42-të me një supergol nga distanca, duke ndalur topin dhe goditur saktë me këmbën e majtë. Ky gol vendosi Llapin në epërsi prej 1:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Llapi pësoi dy gola brenda tetë minutave. Ganezi Emmanuel Yeboah barazoi për Brondbyn në minutën e 53-të, ndërsa sulmuesi Ohi Omoijuanfo shënoi nga pika e bardhë për 2:1 në minutën e 61-të.
Megjithatë, Llapi nuk u dorëzua. Gashijani shënoi përsëri, kësaj here me një goditje të fuqishme që e qëlloi transversalen dhe më pas topi u shty gabimisht nga portieri kundërshtar, Thomas Mikkelsen, për golin e dytë të Llapit në minutën e 66-të.
Llapi pati disa mundësi të mira për të shënuar golin e tretë, por futbollistët nuk arritën t’i shfrytëzojnë ato. Pavarësisht kësaj, kjo ishte një paraqitje e mirë për Llapin, i cili eliminohet me rezultatin e përgjithshëm 8:2 nga garat e sivjetme të Ligës së Konferencës.