Llapi ‘blindon’ Januzin, Musollin dhe Avdylin
Klubi që drejtohet nga Tahir Batatina ka “blinduar” tre futbollistë me përvojë të madhe: Ahmed Januzi, Besar Musolli dhe Ilir Avdyli. Në ditët e ardhshme pritet që kjo skuadër ta vazhdojë kontratën edhe me futbollistë të tjerë.
Skuadra e Llapit përfundoi kampionatin në vendin e dytë në Superligë dhe kjo pozitë e dërgon në garat e Ligës së Evropës. Llapjanët nuk kanë humbur shumë kohë dhe kanë filluar të mendojnë për të ardhmen dhe në këtë mënyrë kanë “blinduar” tre lojtarë me përvojë të madhe.
Fjala është për sulmuesin Ahmed Januzi, mesfushorin Besar Musolli dhe portierin Ilir Avdyli. Llapi ka njoftuar të hënën se vazhdimi i kontratës me ish-sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë, Ahmed Januzi, vjen pasi ka kontribuuar shumë për skuadrën, për rezultatet e arritura dhe kualifikimin në Evropa Ligë. Edhe vetë Januzi ka qenë shumë i kënaqur me vazhdimin e bashkëpunimit.
“Ndihem jashtëzakonisht i vlerësuar nga klubi pasi më ofroi kontratë të re, të cilën e pranova pa asnjë hezitim dhe jam shumë i kënaqur që do vazhdoj ta jap kontributin tim për ekipin e Llapit. Këtu jemi si një familje dhe e mbështesim jashtëzakonisht shumë njëri-tjetrin, si stafi ashtu edhe futbollistët mes vete. Ndiej keqardhje që nuk e arritëm titullin kampion, por tifozëve të zjarrtë ‘Ultras Legjendat’ u premtojmë angazhim maksimal për t’i gëzuar ata me suksese si në Evropë ashtu edhe në sezonin e ri të Superligës”, ka deklaruar Januzi, i cili në 32 ndeshje ka kontribuuar me 10 gola e 4 asistime. Derisa për vazhdimin e kontratës me Musollin, Llapi ka vlerësuar se lojtari në fjalë me përvojën i ka ofruar shumë kualitet mesfushës, andaj klubi nuk ka pasur shumë mëdyshje për vazhdimin e bashkëpunimit. Musolli u ka premtuar tifozëve llapjanë angazhim dhe rezultate pozitive në Evropa Ligë si dhe në edicionin e ri në Superligë.
“Normalisht që jam i kënaqur me vazhdimin e kontratës. Ishte sezoni im i parë pas shumë vitesh larg vendlindjes, por që mund të them se ishte mjaft i suksesshëm si për mua ashtu edhe për ekipin. Jam pritur mirë dhe jam ambientuar shpejt. Tifozët nuk arritëm t’i shpërblenim me titullin kampionë për mbështetjen e tyre të zjarrtë, por u premtojmë angazhim maksimal për të korrur sa më shumë suksese në Evropa Ligë dhe sezonin vijues të Superligës”, ka deklaruar Musolli.
Ndërsa rinovimi i kontratës me Ilir Avdylin është edhe për dy vite të tjera. Portieri me përvojë të madhe ka pasur sezon fantastik duke mbajtur plot gjashtëmbëdhjetë herë portën e pa prekur, duke ofruar siguri të jashtëzakonshme për ekipin në secilën ndeshje që është paraqitur, madje pritjet e tij kanë qenë shpeshherë vendimtare për rezultatet e ekipit llapjan.
/Epoka e re/