Llapi “blindon” Namanin
Tahir Batatina ka konfirmuar lajmin se Hamdi Namani do të jetë pjesë e Llapit edhe në edicionin 2018/2019. “Namani është kapiten i skuadrës dhe ka nënshkruar kontratë edhe një vit me Llapin”, ka thënë Batatina, derisa Llapi e ka transferuar edhe portierin shqiptar Eglant Haxho.
Skuadra e Llapit pritet të jetë ndër më të organizuarat në edicionin e ri futbollistik, pasi drejtuesit e klubit kanë bërë shumë ndryshime në radhët e futbollistëve, por edhe në shtabin teknik me synim për të arritur deri te titulli i kampiones.
Hamdi Namani ishte pritur të largohej nga klubi, por drejtuesit e Llapit ia arritën të “blindojnë” edhe për një edicion, kurse Namani do të jetë ndër pikat më të forta së bashku me Mentor Zhdrellën dhe Behar Maliqin e ardhur nga Feronikeli. Ish-trajneri i Llapit dhe tash drejtor sportiv, Tahir Batatina, për gazetë ka konfirmuar lajmin se Namani do ta udhëheqë skuadrën në edicionin 2018/2019. “Namani është kapiten i skuadrës dhe ka nënshkruar kontratë edhe një vit me Llapin”, ka thënë Batatina, i cili me humor deklaroi se vetëm ndonjë ofertë nga Juventusi mund ta bindte skuadrën nga Podujeva të heqë dorë nga kapiteni Namani.
Llapi e transferoi në këtë afat kalimtar reprezentuesin e Kosovës nga Trepça ’89, Bledar Hajdinin, por ky i fundit pësoi një lëndim dhe Tahir Batatina e gjeti zëvendësuesin e tij, i cili vjen nga Shqipëria, Eglant Haxho. Ky i fundit ka firmosur kontratë njëvjeçare me skuadrën nga Podujeva. 29-vjeçari i lindur në Tiranë është portier i cili karrierën e ka nisur tek Apollonia, kurse ishte pjesë edhe e Kamzës, Tomorit, Bylisit, Kukësit, Butrintit, Tërbunit, Renovës dhe Partizanit të Tiranës.
Kjo nuk është e tëra nga Llapi, pasi të hënën është operuar edhe sulmuesi i transferuar në këtë afat kalimtar, Alban Rexhepi. Sulmuesi në fjalë pas rekomandimit të stafit mjekësor të klubit me urgjencë është operuar pas dhimbjeve në stomak. Operacioni i Rexhepit është kryer me sukses në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
/Veton ZYMBERI/