Llapi “blindon” Zhdrellën dhe Namanin, largohet Daku

05 qershor 2018 | 10:53

Llapi i ka “blinduar” dy yjet e vet, Mentor Zhdrellën dhe Hamdi Namanin, kurse është pajtuar me largimin e sulmuesit Mirlind Daku. Tahir Batatina është emëruar drejtor sportiv, kurse gazeta ka mësuar se Bylbyl Sokoli do të jetë trajner i ri i kësaj skuadre.

Skuadra e Llapit po vazhdon të bëjë ndryshime para fillimit të kampionatit 2018/2019. Synimi i skuadrës nga Besiana është të shpallet kampione në edicionin ri dhe më pas të prezantohet edhe në garat ndërkombëtare. “Motori” i kësaj skuadre, Tahir Batatina, është larguar zyrtarisht nga detyra e trajnerit për ta marrë postin e drejtor sportiv.

“Skuadra e Llapit gjithmonë do të luftojë për trofe dhe këtë edhe më fuqishëm po jua garantoj, sepse do ta ndryshoj rrënjësisht menaxhimin e klubit. Nga pozita ime e re në drejtor ekzekutiv-sportiv do të përpiqem që në koordinim të ngushtë me kryetarin e klubit, stafin dhe të gjithë donatorët, të bashkëpunoj me nder, me respekt dhe me dinjitet”, ka thënë Batatina, i cili ka konfirmuar bisedimet edhe me disa trajnerë.  “Do të sjellim një trajner profesional. Jemi në bisedime me tre trajnerë, dy nga Kosova dhe një jashtë Kosovës dhe shumë shpejt do të bëhet edhe zyrtarizimi i trajnerit të ri”, ka shtuar ai.

Gazeta ka mësuar se dy trajnerët vendorë që i ka kontaktuar Llapi janë Bylbyl Sokoli dhe Gani Sejdiu, madje marrëveshja me Sokolin është shumë afër për t’u arritur, pasi të dyja palët janë pajtuar në shumicën e pikave dhe tash mbetet vetëm edhe finalizimi i marrëveshjes.

Skuadra e Llapit në këtë afat kalimtar është përforcuar me portierin Bledar Hajdini (Trepça ’89), Fiton Hajdari (Trepça ’89), Albi Çekiçi (KS Pogradeci), Arbër Pika (FC KEK-u) dhe Ilir Syla (Vëllaznimi), kurse nga skuadra është larguar portieri Arben Beqiri dhe sulmuesi Florim Bërbatovci. Ndërkohë do të largohet edhe ylli i kësaj skuadre, Mirlind Daku, por jo edhe Mentor Zhdrella dhe Hamdi Namani. “Mirlind Daku do të largohet nga Llapi. Jam shumë i lumtur që kam arritur të zbuloj një lojtar të kalibrit evropian siç është Daku, ku para disa muajve ia kemi dhuruar një klubi të madh evropian. Për Zhdrellën interesim ka pasur nga Feronikeli dhe Drita, por Llapi ka fuqi dhe nuk i lëshon lojtarët më të mirë. Edhe Hamdi Namani 99 % do të jetë pjesë e Llapit edhe në kampionatin e ardhshëm”, ka thënë Batatina.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria në Guatemalë është duke u ndihmuar zjarrfikësit për të…