Llapi deklason Ferizajn, Feronikeli fiton ndaj Ballkanit
Skuadra e Llapit ka arkëtuar pikë të plota në përballjen e javës së tretë që e ka zhvilluar kundër Ferizajt (5-1).
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nikoqirët ishin të pandalshëm në gjysmën e parë, në të cilën e gjetën tri herë rrjetën.
Rezultati u zhbllokua që në minutën e 12-të, kur realizoi Ahmed Januzi.
Mentor Zhdrella e dyfishoi epërsinë në minutën e 26-të, ndërsa dhjetë minuta më pas, Bujar Idrizi shënoi golin e tretë (36′).
Në gjysmën e dytë, skuadra mysafire arriti ta shënojë një gol përmes Florim Berbatovcit, i cili realizoi nga pika e bardhë (50′).
Llapi e ndëshkoi sërish ekipin kundërshtar duke e shënuar edhe golin e katërt me anë të Fiton Hajdarit (77′).
Pas një solo aksioni, Mentor Zhdrella e shënoi golin e dytë personal në këtë takim (85′) dhe të pestin për skuadrën e tij.
Kjo është fitorja e dytë sezonale e Llapit nga tri ndeshje të zhvilluara.
Për Ferizajn, kjo ishte humbja e dytë në tri xhirot e para, në të cilat ka arritur të shënojë një fitore.
Kujtojmë që në javën e kaluar fitoi në udhëtim te Ballkani, ndërsa në xhiron e parë u mposht në shtëpi nga Drenica.
Në ndeshjen tjetër në Drenas, Feronikeli arriti fitoren në fund ndaj Ballkanit. Nikli fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0 ndaj Ballkanit.
Golin e vetëm në këtë duel e shënoi sulmuesi, Artur Magani në fundin e takimit.